Protestat e opozitës, tensione dhe dhunë në Mallakastër

Konfliktet me bazë politike trazojnë Rrethin e Mallakastrës. Tre anëtarë, përfaqësues të forcave më të mëdha politike në vend, janë përfshirë në përleshje mesditën e së shtunës. Tre personat e përfshirë në përleshje janë Pajtim Ismaili, sekretar koordinativ i PS-së së Rrethit Mallakastër; Gentian Dervishaj, nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim po në Rrethin e Mallakastrës, si dhe Besnik Murataj, kryetar i PD-së në seksionin e fshatit Kutë.
Mësohet se dy përfaqësuesit e shumicës i kanë bërë pritë kolegut të tyre të PS-së dhe e kanë dhunuar atë. Zanafilla e ngjarjes nis që nga mesdita e së premtes, kur në disa zona të Rrethit të Mallakastrës nisën organizimet për protestat e PS-së. Një nga protestat ka qenë në Fratar, ku sipas Pajtim Ismailit, gjatë zhvillimit të saj, Gentian Dervishaj dhe Besnik Murataj, me një automjet xhip kanë tentuar prishjen e aktivitetit të opozitës. Incidenti i nisur në Fratar ka pasuar paraditen e së shtunës, rreth orës 11:00, në një nga rrugët kryesore të Ballshit. Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe deputeti socialist Pirro Lutaj, i angazhuar në organizimin e protestave në Mallakastër. “Erdhëm të bashkohemi së bashku me ju,të dalim në rrugë të organizuar për të larguar një orë e më parë këtë qeveri e kryeministër të korruptuar”, u shpreh Lutaj.
Por protestat e socialistëve kanë zbritur dje edhe në Qarkun e Beratit. Kështu, dje janë zhvilluar dy të tilla, një në qytetin e Beratit dhe tjetra në çorovodë. Bëhet e ditur se ka qenë deputeti Fidel Ylli ai që ka drejtuar mobilizimin e qytetarëve të Skraparit, i cili ka folur rreth situatës ekonomike dhe politike në vend. Vetëm një orë më pas, deputeti tjetër socialist, Erjon Braçe, së bashku me kolegen Ermonela Felaj, kanë përsëritur ritualin në qytetin e Beratit. Kriza është risjellë në vëmendje të qytetarëve të qarkut, të cilët sipas përfaqësuesve opozitarë është braktisur nga qeveria në shenjë hakmarrjeje politike për zgjedhjet e fundit.
“Sali, na le pa punë”, ishte pankarta e protestuesve të zonës së Nënshkodrës. Të asistuar nga deputetët Ilir Beqja, Tom Doshi dhe Astrit Beci, qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për situatën e tanishme dhe demagogjinë e qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha. Kështu, vendimi i PS-së për të masivizuar politikën e vet përmes lëvizjes qytetare, ka hyrë në një fazë praktike që po nxjerr në shesh njerëzit, por edhe të vërtetën e realitetit shqiptar.
Ndërkaq, e ndryshme kaq qenë tematika e aktivitetit të opozitës në Fier, zhvilluar me delegatët e Kongresit dhe kreut të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi. Burime nga brenda mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura pohojnë për gazetën “Shqip” se ka pasur mjaft kundërshti për sa u përket ndryshimeve në statutin e PS-së. Për shkak të debateve, mbledhja është ndërprerë disa herë duke dëshmuar se paketa e re e ndryshimeve nuk do të kalojë lehtë. Kështu, nga 90 delegatë, vetëm 20 kanë votuar pro tyre, gjë që e ka bënë reagimin e bazës së Fierit një nyje të oponencës ndaj ekipit drejtues të PS-së.
#