Mungon gjaku në Bankën e Lushnjës
Qendra Rajonale e Hematologjisë në Lushnjë, një nga qendrat më të mëdha në vend, prej kohësh është duke u përballur me krizën e rezervave të gjakut. Flakonët e gjakut në frigoriferët e kësaj qendre nuk i përballojnë dot kërkesat e shumta të të sëmurëve talasemikë. Edhe pse mjeku specialist, Mehmet Xhindole, ka thënë se me shumë vështirësi po u jepet gjak të gjithë të sëmurëve, këta të fundit kanë pohuar se u duhet që të shkojnë më tepër se tre herë për të marrë një flakon gjak. Ndryshimi i skemës së dhurimit të gjakut ka vënë në rrezik sigurimin e kësaj lënde jetike për shumë të sëmurë. Talasemikët e kanë të domosdoshme marrjen e gjakut brenda një cikli shumë të shkurtër kohe dhe në zonën e Lushnjës kjo sëmundje është mjaft e përhapur.
Nga ana tjetër, problemi i rezervave të gjakut pranohet edhe nga mjeku specialist i kësaj qendre, Mehmet Xhindole. Ky i fundit ka thënë për gazetën: “Menduam se do të stabilizohej disi situata e gjakut. Sërish është një situatë jo e favorshme, edhe pse kemi bërë përpjekje maksimale për të përmirësuar gjithçka”. Mjeku Mehmet Xhindole thotë se vështirësia qëndron se nuk ka më dhurime vullnetare, si dhe me pagesë. “Mossigurimi i gjakut nëpërmjet dhurimeve apo dhe me pagesë ka sjellë një situatë kritike për qendrën tonë. Mezi po përballojmë të sëmurët talasemikë që janë mbi 400 të tillë, që trajtohen vetëm në qendrën tonë”, shprehet Xhindole. Zgjidhja, sipas tij, vjen nëpërmjet ndërhyrjes së Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe sensibilizimeve, ku duhet të përfshihen të gjitha institucionet.
“Sensibilizimi duhet të kryhet nga institucionet shtetërore, ndërkohë që unë u bëj thirrje punkteve të gjakut në Fier, Berat e Vlorë, që të sjellin rezerva, pasi në këto qytete trajtohen të sëmurë talasemikë dhe asnjë rezervë nuk vjen drejt nesh”, ka thënë mjeku. Po sipas Xhindoles, mësohet se kjo bankë gjaku nuk po arrin të përballojë as emergjencat e reparteve të spitalit. “Këto emergjenca janë mbuluar nga të afërmit e pacientëve, pasi ne nuk mundemi t’i ndihmojmë”, ka thënë mjeku Mehmet Xhindole.
#