E Diel, 1 Nëntor 2026

Financieri i 15-katëshit vodhi 63 milionë lekë nga kasaforta

Historia nga kopjimi i çelësit, harxhimet në kazino dhe zbulimi nga nëna e shokut

Ka shfrytëzuar rastin kur arkëtarja ka marrë leje për të 40-at e vjehrrës, për të kopjuar çelësin e për të vjedhur nga kasaforta 63 milionë lekë. Bëhet fjalë për një vjedhje të madhe që ka ndodhur te Hotel Tirana-Internacional, i njohur ndryshe si 15-katëshi në Tiranë. Protagonisti i kësaj ngjarjeje është financieri i këtij hoteli, i cili ka planifikuar gjithçka, teksa punonte aty dhe kur policia e ka kapur, ka mundur t’i gjejë vetëm 43 milionë lekë, pasi pjesën tjetër e kishte harxhuar në lojëra fati. Historia e zbuluar brenda 12 orëve nga shërbimet e Komisariatit nr. 3 ka ndodhur dy ditë më parë dhe për këtë është arrestuar financieri Vangert Beqollari.

Kopjimi i çelësit

Prej kohësh, 27-vjeçari, i cili punonte si financier i Hotel Tirana-Internacional, kishte planifikuar këtë vjedhje. Por, ai nuk dinte si ta realizonte, deri ditën e hënë, kur i ka lindur e gjithë ideja. Atë ditë, arkëtarja, e cila mbante çelësin e kasafortës, ka marrë leje për të shkuar në një qytet tjetër, pasi kishte përkujtimore për vdekjen e vjehrrës së saj. Duke qenë se paratë e xhiros ditore të hotelit ruheshin në kasafortë, ia ka lënë çelësin financierit, Vangert Beqollari. Ajo është larguar, ndërsa Vangerti ka thurur planin e vjedhjes. Menjëherë, ai ka kopjuar çelësin e kasafortës dhe ditën e martë, kur arkëtarja është kthyer në punë, i ka dorëzuar çelësin e saj, pavarësisht se deri në atë moment, nuk kishte prekur asgjë nga kasaforta.

Vjedhja e kasafortës

Por 27-vjeçari nuk ka qenë i duruar për të realizuar planin e tij dhe pasi ka pritur deri pasditen e së enjtes, ka kryer vjedhjen. Në momentin që e gjithë zyra e përbërë nga katër persona ka shkuar në shtëpi, ai është rikthyer dhe ka marrë gjithë paratë që ndodheshin në kasafortë. Ato ishin të ndara në zarfe dhe brenda kishin nga 1 milion lekë të vjetra secili. Në një çantë, financieri ka futur 63 zarfe, duke vjedhur 63 milionë lekë të vjetra. Kur ka dalë nga puna, ka marrë makinën e tij dhe ka shkuar pranë Dajtit. Atje ka nxjerrë paratë nga zarfet dhe i ka paketuar në dy çanta, duke ndarë 20 milionë lekë të vjetra veç dhe 43 milionë në çantën tjetër. Zarfet dhe çelësin kopil, i ka hedhur për të zhdukur gjurmët. Kur është kthyer në Tiranë i ka telefonuar një shoku dhe i ka kërkuar që t’i mbajë një çantë deri pasditen e së premtes. Shoku i tij ka pranuar dhe e ka çuar çantën plot me para në shtëpinë e tij, pa e ditur se çfarë kishte brenda. Pasi ka lënë çantën në shtëpi, shoku i financierit është rikthyer në punë, pasi punonte menaxher në një biznes privat.

Mëngjesin e së premtes, kur zyra e financës së hotelit është rikthyer në punë, nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë. Disa minuta më vonë, kur ka hapur kasafortën, ka parë që ajo ishte bosh dhe ishin vjedhur të gjitha paratë. Të habitur nga kjo ngjarje, ata kanë njoftuar stafin e sigurisë dhe problemi ka marrë përmasa të mëdha. Megjithatë, për ta ka qenë tejet e dyshimtë, pasi kasaforta ishte vjedhur pa thyerje dhe e vetmja që kishte çelësin e saj, ishte arkëtarja e hotelit. Fillimisht, gjithë dyshimet kanë rënë mbi të, ndërkohë që janë mbajtur të izoluar edhe tre personat, që punonin në të njëjtin ambient.

Kontrolli i kamerave

Nga mëngjesi deri në drekë, stafi i sigurisë ka kontrolluar gjithë kamerat, por nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e hajdutit të kasafortës. Në këto kushte, rreth orës 12:00 të së premtes, ka njoftuar policinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 3, të cilat kanë nisur hetimet në lidhje me këtë krim, me pasoja të rënda financiare. Të katër personat e financës janë shoqëruar, por nuk dihej se cili prej tyre mund ta kishte kryer këtë akt. Kështu, policia i ka futur në një dhomë përgjimi dhe dyshimet janë konkretizuar tek arkëtarja dhe financieri Vangert Beqollari. Madje, për 27-vjeçarin ka pasur dyshime më pak, për arsye se dinte të fshihte emocionet e tij, pavarësisht se është marrë disa herë në pyetje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›