Protestat kundër Ramës jehonë në Uashington! Fox News: Kongresmenët republikanë letër Rubios, kërkojnë kufizim vizash për zyrtarët e korruptuar dhe informacion për çështjen Balluku
Dy kongresmenë republikanë, Joe Wilson dhe Keith Self, i kanë dërguar një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ku shprehin shqetësim për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri, duke i kërkuar administratës amerikane të shqyrtojë vendosjen e kufizimeve të vizave ndaj zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në korrupsion.

Në letrën e tyre, të cituar nga Fox News, kongresmenët theksojnë se Shtetet e Bashkuara kanë investuar në reformën në drejtësi në Shqipëri, por paralajmërojnë se përparimi i arritur mbetet i brishtë dhe rrezikon të zhbëhet.
Ata i kërkojnë Departamentit të Shtetit që të përdorë autoritetin që i jep neni 7031(c) i ligjit amerikan për kufizimin e vizave, duke bërë publikë emrat e zyrtarëve shqiptarë dhe, kur është e nevojshme, të familjarëve të tyre, në rastet kur ekzistojnë të dhëna të besueshme për përfshirje në korrupsion madhor.
“Ne shkruajmë për të shprehur shqetësimin në lidhje me gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit në Republikën e Shqipërisë, një aleat i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në reformat e drejtësisë në Shqipëri dhe kanë një interes të fortë për suksesin e tyre. Ngjarjet e fundit sugjerojnë se progresi është i brishtë dhe, në fusha kyçe, në rrezik përmbysjeje”, thuhet në letrën drejtuar Sekretarit Rubio.
Ata kërkojnë gjithashtu shqyrtimin e mundësisë së zbatimit të sanksioneve globale Magnitsky, aty ku provat e justifikojnë një masë të tillë.
Një nga çështjet kryesore të ngritura në letër dhe për të cilën kërkohet informacion është rasti i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
“Çështjet e SPAK-ut tashmë kanë arritur deri në nivelet më të larta të qeverisë. Ai ka ngritur akuza ndaj Belinda Ballukut, e cila ka shërbyer si Zëvendëskryeministre, për ndërhyrje në prokurimet publike për ndërtimin e rrugëve. Në dhjetor 2025, prokurorët i kërkuan Kuvendit t’i hiqte imunitetin, në mënyrë që ajo të mund të arrestohej. Kryeministri Edi Rama e cilësoi kërkesën si antikushtetuese dhe Kuvendi nuk e ka lejuar vazhdimin e procedurës së arrestimit. Rama mohon të gjitha akuzat për korrupsion ndaj tij. SPAK po heton gjithashtu ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Vlora Hyseni, për dyshimet se ka keqpërdorur aksesin e saj në informacion për të ndikuar në një çështje që lidhet me një të dyshuar për vepër penale.”
Letra vjen në një kohë kur qeveria Rama po përballet me protesta, ku qytetarë dhe studentë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Protestat janë shoqëruar me përplasje dhe tensione, ndërsa Rama ka refuzuar që të japë dorëheqjen, duke propozuar dialog me të rinjtë që i kërkojnë largimin.
“Kongresi është thellësisht i shqetësuar për situatën në Shqipëri, pasi qeveria përdor forcë të tepruar kundër qytetarëve që kërkojnë llogaridhënie dhe institucione të pastra. Korrupsioni dhe trafikimi i drogës i lidhur me qeverinë Rama duhet të kundërshtohen”, tha përfaqësuesi Wilson për Fox News.

