Protestat, kutitë dhe Santa Klausi
Në këtë atmosferë Krishtlindjesh, si për ironi të fatit, Tirana, kryeqyteti ynë, në dallim nga të gjitha kryeqytetet e Evropës dhe botës, është më i mjerë se kurrë. Asgjë në kryeqytetin tonë nuk të ngjall emocionin që do të mund të të ngjallte një atmosferë festive e aq më tepër ajo e Krishtlindjeve. Është për t’u përshëndetur nisma private e disa bizneseve dhe institucioneve të shtetit, të cilat e kanë stolisur mjedisin e tyre, si brenda edhe jashtë ambienteve, si për të na thënë se Krishtlindjet, pavarësisht arrogancës së bashkisë, po mbërrijnë edhe në Tiranë. Gjithsesi, edhe syri më i pastërvitur mund të konstatojë pa shumë sforco se Tirana është një prej kryeqyteteve më të zymta evropiane, në këtë vigjilje Krishtlindjesh dhe fundit të vitit 2009. Qytetarët shqiptarë, ndonëse me një shumicë myslimane, janë tepër të ndjeshëm ndaj festave të tilla edhe për vetë vokacionin evropian të tyre. Në kryeqytetin tonë, me tela të ngatërruar në ajër, si në një pikturë absurde, të një piktori pa talent, Krishtlindjet zvarriten si mos më keq. Kjo pa dyshim që është një vrasje që i bëhet fantazisë së fëmijëve, që presin të shohin një dekor të bukur apo alegorisë së të rriturve, që do të dëshironin një fundviti për t’u përshëndetur. Tirana nuk e meriton një poshtërim si ky. Askush nuk e miraton një gjë të tillë. Tirana është një qytet i madh me gati një milion banorë e për pasojë, nuk mund t’i shpëtojë vëzhgimit të syve të njerëzve. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Siç po e shohim, nga dita në ditë, fundi i vitit 2009 është shoqëruar për Shqipërinë me ngjarje mjaft të mëdha që kanë të bëjnë me integrimin në Evropë. Ditën e djeshme, Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha i është dorëzuar pyetësori i Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Një ngjarje që gëzon të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe që zymton fytyrat e atyre që për interesa pushteti, janë gati të kthejnë edhe një herë në Shqipëri atmosferën tejet të zymtë të vitit 1997. Është momenti për të ftuar të gjithë shqiptarët në një buzëqeshje të madhe kolektive. Është momenti për të thënë se Shqipëria ka bërë një progres të madh në këta 17 vjet, një progres që ndoshta pakkush e kishte menduar në krye të herës. I solla këto argumente për të thënë se edhe nëse nuk do të ishte atmosferë Krishtlindjesh, Tirana dhe e gjithë Shqipëria duhet të zbukuroheshin pikërisht për faktin se shqiptarët janë duke kaluar vërtet momente festive. Vetë lideri historik i tranzicionit shqiptar, Sali Berisha, e konsideroi dje dorëzimin e pyetësorit si një kartolinë për të gjithë shqiptarët, pa dallim. Secilit nga njerëzit e ndershëm i lind e drejta të thotë se moszbukurimi i Tiranës është një përpjekje për të errësuar atë që po lind: Shqipërinë e nesërme evropiane. Tirana, kryeqyteti i dashur i të gjithë shqiptarëve është fyer rëndë. Të gjithë e ndiejnë. Të gjithë e aprovojnë. E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Tirana ftohet që të dalë edhe në protestë. Është pa diskutim një prej gjërave më të shëmtuara që mund të prodhojë çdo mendje e sapo dalë nga skaneri i ndonjë spitali psikiatrik. Qytetarët shqiptarë ftohen për të protestuar në një kohë kur ata e duan qytetin e tyre, në një kohë kur ata mezi e presin të ardhmen e tyre të afërt evropiane dhe kanë të drejtë. Protestat në këtë sfond Krishtlindjesh janë një dhunë që ushtrohet ndaj institucionit të besimit, ndaj konstitucionit shpirtëror e fetar të njerëzve, qofshin këta, myslimanë, ortodoksë apo katolikë. Etja për pushtet, me sa duket, është kaq e madhe. Nevoja për ta marrë pushtetin me çdo mjet, është urgjente. E ç’vlerë do të ketë vallë kur në ditën e Krishtlindjeve, në ekranet e TV-së do të dëgjojmë urime hipokrite për mbarësi, paqe dhe dashuri? Teksa shkruaj këto radhë, në këtë vigjilje të zymtë Krishtlindjesh në Tiranë, nuk mund të neglizhoj faktin se baballarët e iniciuesve të mitingjeve, i vunë minat objekteve të kultit në të gjithë Shqipërinë, vetëm 40 vjet më parë, kështu që dhunimi i festave të Krishtlindjeve është thjesht vazhdim i maskaradës së dikurshme mbi klerin, kishat dhe xhamitë anembanë Shqipërisë. Gjithkush ka të drejtë të protestojë, por askush nuk ka të drejtë të dhunojë Krishtlindjet që janë pronë e shpirtit të njerëzve, që mendojnë dhe thonë njëlloj si Krishti: “Falua o Zot se nuk dinë se ç’bëjnë!” Gjithkush ka të drejtë të protestojë, por nga ana tjetër, gjithkush ka të drejtë të thotë: “Na lini të festojmë!” Do të kishte qenë e udhës që të paktën, për vigjilje Krishtlindjesh të heshtin thëniet “hapni kutitë”, pasi edhe vetë Santa Klausi e lë të pahapur kutinë e tij të dhuratave poshtë pemës së zbukuruar. Tjetër gjë se fëmijës, bie fjala, mund të mos i pëlqejë dhurata që është brenda. Santa Klausi e di vetë ai se çfarë sjell. Dhe shqiptarët, një herë në katër vjet, janë “Santa Klausë”.