E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rifreskim i qeverisë apo zgjedhje?

Analistët në Prishtinë vlerësojnë se zgjedhjet lokale do të kenë efekte në koalicionin aktual qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Rikonfigurimi i këtij koalicioni apo edhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sipas analistëve, janë opsione krejtësisht të pritshme, pas zhvillimeve që përcollën fushatën, zgjedhjet dhe sidomos sjelljet e dy partive më të mëdha.

Rifreskimi i qeverisë aktuale të Kosovës është minimumi që partnerët e koalicionit mund të bëjnë për t’ia zgjatur jetën kësaj qeverie, thonë analistët.

Pas zgjedhjeve lokale që u përcollën me një fushatë dhe fjalor mjaft të ashpër, si dhe rezultateve preliminare të balotazhit, analistët në Prishtinë nuk e përjashtojnë si mundësi edhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Por, thirrja e zgjedhjeve të parakohshme, sipas analistëve, do të kërkojë edhe një harmonizim me faktorin ndërkombëtar.

Andaj, analisti Bardh Hamzaj vlerëson se një rikonfigurim eventual i qeverisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, mund të jetë një nga opsionet e mundshme.

“Mendoj se pavarësisht, ndoshta, dëshirës së të dyja partive që të bëjnë ndryshime ose ta përfundojnë këtë koalicion, megjithatë PDK-ja dhe LDK-ja do të jenë të detyruara ta vazhdojnë koalicionin”.

“Do të mundohen ndoshta atë që e përmendi edhe Kryeministri, që të bëjnë një riformatim, por edhe për shkak të ndikimit të faktorit ndërkombëtar nuk supozoj që shpejt mund të shohim një rënie të këtij koalicioni”, - thotë Hamzaj.

Më pak optimist për jetëgjatësinë e këtij koalicioni është analisti Shpend Ahmeti. Ai thotë se jo vetëm zgjedhjet, por zhvillimet që përcollën fushatën dhe dy rrethet e votimit, kanë lënë krejtësisht pak hapësirë që ky koalicion të vazhdojë deri në fund të mandatit.

“Në mes të dy raundeve i kemi pasur ato dy goditje të rënda; njëra gati me rënien e qeverisë brenda natës dhe në mëngjes sjellja se asgjë nuk ka ndodhur, e pastaj edhe rasti Bllaca”.

“Të gjitha këto zhvillime, në kombinim me rezultatet që po i shohim, shumë të ngushta në katër komuna të Kosovës, ku ka akuza të ndërsjella, mendoj se natyrisht që luajnë rol në stabilitetin e qeverisë dhe do të ndikojë që kjo qeveri t’i ketë gjasat shumë të ulëta që të vazhdojë deri në fund të mandatit, në fund të vitit 2011”, - shprehet Ahmeti.

Derisa koalicioni qeverisës besohet se nuk mund të kalojë pa u prekur nga efektet e zgjedhjeve lokale, epilogu i pazgjidhur i Prizrenit konsiderohet se mund të reflektojë edhe në raportet PDK-LDK në qendër.

Bardh Hamzaj kritikon qasjen e të dyja partive që shpallën veten fituese në Prizren, marrë parasysh rezultatin aq të ngushtë atje. Kjo, sipas tij, vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen.

“Epilogu i Prizrenit ndoshta mund të jetë ai shkasi që mund ta përkeqësojë mjaft raportin edhe ashtu të përkeqësuar midis PDK-së dhe LDK-së, që pastaj do të vërehej në ekzistimin e koalicionit qeverisës”.

“Përndryshe, në këtë gjendje siç janë partnerët e koalicionit, vazhdimi i këtij koalicioni me të vërtetë nuk ka kuptim, përpos shtyrjes së kohës dhe mandatit”, - thekson Hamzaj.

Rikonfigurimi i qeverisë nuk përjashtohet si opsion as nga analisti Shpend Ahmeti, por ai nuk beson në qëndrueshmërinë e koalicionit as pas rikonfigurimit eventual.

“Duket tani si një opsion real që edhe Kryeministri i Kosovës e ka përmendur, do të thotë mund të pritet që në muajin janar të ketë një rifreskim të qeverisë, d.m.th. ndërrim të ministrave”.

“Me këtë rifreskim, unë mendoj se do të shtyhet edhe pak rënia e kësaj qeverie, posaçërisht deri në përfundimin e procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, mirëpo kjo qeveri nuk mendoj se do të mund të mbijetojë deri në vitin 2011”, - vlerëson Ahmeti.

Sidoqoftë, analistët vlerësojnë se rezultati i zgjedhjeve lokale nuk do të luante aq shumë rol dhe ndikim në koalicionin qeverisës, sa ka ndikuar sjellja e disa zyrtarëve të LDK-së gjatë fushatës, pastaj deklarimi i prishjes së koalicionit nga ana e zyrtarëve të PDK-së, si edhe rasti tashmë shumë i përfolur “Bllaca” dhe dëshmive e akuzave të tij përmes disqeve publike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›