Protestat në Kosovë, Policia me urdhër operativ për nesër

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur se ka ndërmarë të gjitha përgatitjet e nevojshme në lidhje me protestat e paralajmëruara nga lëvizja Vetëvendosje në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, dy pika kufitare këto me Serbinë.
Urdhri operativ i quajtur “ Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë 2”, sipas policisë, qëllim strategjik ka sigurinë e përgjithshme dhe mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike; shtimin e masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje e fokusimin dhe garantimin në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut me qëllim të qarkullimit të lirë në rrugë si dhe moslejimin e vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare.
Policia e Kosovës, bën të ditur se do “të ndërmarrë të gjitha veprimet konformë Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, që t`u shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve”.