E Shtunë, 31 Tetor 2026

Proteste e veteraneve te UK-se

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 13-vjetorin e hyrjes së KFOR-it  në Kosovë,  bllokuan për gjysmë ore magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë, në shenjë revolte për gjendjen aktuale në veri dhe mungesën e efikasitetit të KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës për të kthyer kontrollin në atë pjesë.

Me gjithë kolonat e gjata që u krijuan nga kjo bllokadë dhe kërkesat e policisë së Kosovës për ta liruar rrugën, protesta vazhdoi. Veteranët e UÇK-së qëndruan në mes të rrugës për gjysmë ore, aq sa ishte parashikuar zgjatja e protestës.

Muharrem Xhemajli, kryetar i OVL-së së UÇK-së ka thënë se veteranët kanë vendosur që në vend të festës së 13-vjetorit të hyrjes së KFOR-it në Kosovë, të protestojnë.

Ai ka thënë se edhe 13 vjet pas çlirimit dhe katër vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka një situatë okupimi në veri të vendit dhe se strukturat e Serbisë në atë pjesë asnjëherë nuk kanë pushuar së vepruari.

Sipas tij, “KFOR-i, EULEX-i, UNMIK-u dhe institucionet vendore, me mosveprimin e tyre lejuan funksionimin normal të këtyre strukturave, të cilat vazhduan traditën kriminale dhe genocidale të Millosheviçit”.

Veteranët e UÇK-së kanë pohuar se do të vazhdojnë ta përcjellin situatën në vazhdimësi, duke u bërë me dije të gjithëve se ata nuk do të rrinë duarkryq.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›