Memorandumi Shqiperi-Kine
Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe asaj të Republikës Popullore të Kinës për lehtësimin e procedurave të hyrjes se grupeve të udhëtimit të turistëve kinezë në Shqipëri.
Ky memorandum ka si qëllim të nxisë organizimin e biznesit të udhëtimeve jashtë vendit të shtetasve kinezë në Shqipëri , kryesisht të atyre që janë të organizuar në grupe turistike.
Ministri, Bumçi tha se nënshkrimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi do të lehtësojë procedurat e dhënies së vizave të udhëtimit të grupeve turistike kineze për në Shqipëri. Ministri falënderoi Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës e cila për të promovuar turizmin shqiptar, ka marrë përsipër dhe përkthimin e materialeve promovuese turistike.
Ndërsa Ambasadori i RP të Kinës, Ye Hao vlerësoi potencialet turistike të Shqipërisë, miqësinë, mundësinë e zhvillimit të, bashkëpunimin turistik dhe kulturor.
“Kina është një ndër vendet e para në botë, me rreth 70 milionë turistë që dalin jashtë vendit dhe pse jo një numër i madh turistësh të shikojnë si destinacion të rëndësishëm për të kaluar pushimet në Shqipëri, pasi ka një klimë të favorshme. Në faqen zyrtare të Ambasadës Kineze kemi hapur një hapësirë promovuese për turizmin shqiptar. Ne jemi të gatshëm për të shtuar dhe nxitur më tej bashkëpunimin kulturor dhe shpirtëror si dhe nxitjen e investimeve kineze në Shqipëri. Uroj që zyrtarizimi i këtij memorandumi të promovojë më tej dhe të zgjerojë bashkëpunimin midis dy vendeve me një lidhje shpirtërore dhe historike”, u shpreh ai.
Në kuadër të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, tha Bumçi do të organizohet në Kinë java kulturore shqiptare ku do të prezantohet edhe një ekspozitë turistike nga Shqipëria.