Protestë kundër dhunës ndaj shqiptarëve

Marshimi i studentëve në Shkodër
Të rinj që bëjnë pjesë në Unionin e Pavarur Studentor kanë zhvilluar një marshim proteste ndaj akteve raciste të bëra ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Pjesëtarë të këtij unioni me flamuj kombëtarë dhe me parulla ku shkruhej Shqipëri Etnike, Stop Racizmit ndaj shqiptarëve etj, kanë marshuar nga sheshi para rektoratit të universitetit drejt rrugës muzeale dhe asaj para godinave të tjera të universitetit në lagjen Vasil Shanto.
Maringlen Spahiu, drejtues i këtij unioni shprehet se studentët e Shkodrës protestojnë ndaj provokimeve etnike që po përsëriten vazhdimisht ndaj shqiptarëve të Maqedonisë si dhe ndaj dhunës së ushtruar me 8 mars ndaj 15 nxënësve shqiptarë. Protesta ka qenë sensibilizuese dhe për klasën politike shqiptare në Maqedoni, që ajo të mos jetë e përçarë kur është fjala për mbrojtjen e identitetit kombëtar, thotë Spahiu. /A.Dushi/