E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë masive, Kurti: Reciprociteti nuk ka afat

Kreu i levizjes Vetevendosja ka deklaruar per KTV-në se reciprociteti nuk ka afat. Ai ka sqaruar se protestuesit do të vazhdojnë të qëndrojne, të bëjnë trysni për te bllokuar  mallrat serbe për të hyrë në Kosovë.

Ai nuk ka saktësuar ndonjë orë, kur do të tërhiqet vetëvendosje nga protesta.

Sipas Kurtit, protesta e Vetëvendosjes po jep rezultate, sepse qëkur janë këtu, asnjë kamionë apo automjet tjetër me mallra serbe nuk është futur në Kosovë nga Serbia.

Në mesin e protestuesve në Merdar gjendet edhe ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë Wiliam Waker, i cili ka thënë se e drejta për të protestuar është e drejtë themelore e çdo qytetari të lirë.

Nisja e protestes

Numri i protestuesve në hyrje të fshatit Shtedim të Podujevës, në rrugën që çon drejt pikës kufitare në Merdarë ka arritur në rreth 1000 . Po aq protestues raportohen të jenë mbledhur deri edhe te pika kufitare Dheu i Bardhë. Ndërkohë, raportohet se numri i protestuesve sa vjen e shtohet.

Turma e mbledhur në hyrje të fshatit Shtedim është afruar me policinë në një distancë rreth 1 metër, ndërkaq Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke qëndruar në gjendje gatishmërie dhe ka krijuar kordonin në mes të dy urave në afërsi të këtij fshati.

Në krye të protestuesve janë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti si dhe aktivisti tjetër, Shpend Ahmeti.

Vetëvendosje ka bllokuar vetëm një korsi të rrugës, pra atë që vjen nga Serbia për në Kosovë. Protestuesit po brohorasin parulla të ndryshme, e ndër to edhe Hashim hajni, O Albin, ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke, e thirrje të ndryshme.

Protestuesit kanë filluar të mblidhen në afërsi të rrugës që shpie drejt Merdares.

Ata janë grumbulluar në një vend që është 1 kilometër larg pikës së kontrollit të Policisë së Kosovës.

Policia bllokon qarkullimin drejt Merdares

Rruga magjistrale Prishtinë-Podujevë tashmë ka shumë pika kontrollit të Policisë së Kosovës, në të cilat legjitimohen të gjithë qytetarët dhe nuk lejohet qarkullimi i tyre drejt Merdares.

Siç raporton gazetarja e Expressit në vendin e ngjarjes, qytetarëve u jepet nga një broshurë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, e cila përmban rregullat të cilat duhet të respektohen gjatë protestës.

Ndërsa, Forcat më të mëdha të Policisë janë përqendruar në hyrje të Podujevës në drejtim të rrugës drejt Merdares.

Ndërkohë, asnjë makinë apo kamion nga Serbia nuk është duke qarkulluar në këtë pjesë.

VV sot në protestë, i drejton 10 pyetje Thaçit

PRISHTINE- Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë deklaruar se do të protestojnë në dy pikat kufitare, në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë, meqenëse sipas tyre, mocioni i iniciuar nga PDK-ja nuk është i qëndrueshëm, dhe si dokument që i referohet marrëveshjes së mëhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë për lëvizje të lirë, e cila nuk është ratifikuar në Kuvend të Kosovës, nuk mund të cilësohet si dokument në përputhje me Kushtetutën.

Derisa e ka arsyetuar mbajtjen e protestës, me faktin që sipas tij, kryeministri Hashim Thaçi ia ka mbyllur derën Shqipërisë dhe ia ka hapur Serbisë, si me 14 janar, gjithashtu edhe me mocionin e së premtes, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se kjo lëvizje kërkon nga policët e vendit që mos ti pengojnë aktivistët e Vetëvendosjes, siç ka thënë ai, në pengimin e Serbisë.

Ai madje, ka thënë se nuk është e rastësishme që kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, është aktivizuar në maksimum për tia mundësuar Serbisë që ti pushtoi tregjet e Kosovës.

Këtë ai e ka ndërlidhur me dy takime të fshehta që Thaçi ka pasur me presidentin serb, Boris Tadiç, për të cilin ka parashtruar dhjetë pyetje, e të cilat presin përgjigje nga kryeministri kosovar:

1. Ku dhe kur është marrë vendimi që Thaçi të takohet me Tadiçin?

2. Ku dhe kur saktësisht është takuar me kryetarin e Serbisë, Tadiç?

3. Kush tjetër ka marrë pjesë në këto takime, për çfarë kanë biseduar, çfarë i ka thënë Thaçi Tadiçit dhe çfarë Tadiçi Thaçit?

4. Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e kujt janë zhvilluar secili prej këtyre dy takimeve?

5. Cilat ishin konkluzionet e takimeve?

6. Çka ka përfituar Kosova nga këto takime?

7. Çka ka përfituar Thaçi nga këto takime?

8. A ekziston transkripti dhe procesverbali i takimeve dhe nëse po, kush e ka?

9. Kë e ka informuar dhe kujt i ka raportuar Thaçi për këto takime?

10. A e kanë ditur kabineti qeveritar, presidenti dhe partia e tij, PDK, për këto takime? (Zëri)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›