E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë ndaj arrestimit të dhunshëm të Albin Kurtit

Arrestimi i drejtuesit të “Vetëvendosjes”, aktivistit të njohur Albin Kurti, ka afishuar reagimet e para në hapësirën shqiptare. Përmes një deklarate, instituti “Antonio Gramshi” shprehet: “Pikërisht në momentin kur lëvizja për ‘Vetëvendosje’ shpalli formalizimin e saj si parti politike, që ka për qëllim të vetëm realizimin e shprehjes sovrane politike të popullit të Kosovës, sipas parimit të njohur ndërkombëtar të Vetëvendosjes së Popujve, policia kosovare ndërhyri dhunshëm, duke përdorur gaz lotsjellës, dhunë fizike e sende të forta për të bastisur zyrat e lëvizjes për ‘Vetëvendosje’. Rezultat i kësaj bastisje të dhunshme ishte arrestimi i Albin Kurtit dhe i shumë aktivistëve të tjerë. Mbi këta aktivistë është ushtruar dhunë, e një pjesë e tyre janë lënduar rëndë në pjesë vitale të trupit, katër prej tyre janë plagosur në kokë, ndër ta edhe vetë Kurti.

Në emër të institutit ‘Antonio Gramshi’ në Tiranë dhe në emër të redaksisë së botimit të përjavshëm ‘Gazeta’, ne denoncojmë sjelljen kafshërore të Shërbimit Policor të Kosovës dhe protestojmë ndaj përndjekjes që i bëhet Albin Kurtit dhe aktivistëve të ‘Vetëvendosjes’”.

Më tej, në deklaratën e këtij instituti shtohet se: “Instituti ‘Antonio Gramshi’ angazhohet publikisht që nëpërmjet publikimeve, aktiviteteve mediatike, aktiviteteve në terren, organizimit të aktivistëve, e deri edhe organizimit të protestave demonstrative, të këmbëngulë për vendosjen e drejtësisë në vend”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›