E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për policët e vrarë nuk përfshin të plagosurit

Punonjësit e dëmtuar mendohet të trajtohen vetëm me vendime të Këshillit të Ministrave Sipas ekspertëve, trajtohen veç ata të rënë në krye të detyrës

Familjet e policëve do të përfitojnë mbështetje financiare nga ligji i ri, i cili është dërguar në Kuvendin e Shqipërisë vetëm nëse ata vriten në detyrë. Në rast se ata mbeten të plagosur nuk mbulohen nga ky ligj, i cili ka cilësuar në një nen se kjo është kompetencë e qeverisë. Pra, kur punonjësit e policisë mbeten të dëmtuar në detyrë, ata duhet të presin vendimin e qeverisë për t’u ndihmuar nga shteti dhe nuk ka një ligj të posaçëm edhe për ta. Këto argumente jepen nga ekspertët dhe juristët e policisë, të cilët kanë studiuar projektligjin, i cili aktualisht është në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka të bëjë me mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Të plagosurit

Që në fillim të projektligjit ra në sy se bashkë me punonjësit e policisë që bien në krye të detyrës janë përfshirë edhe punonjësit e Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri. Gjithashtu, bashkë me ta janë bashkuar në këtë ligj edhe familjet e shtetasve a të punonjësve të strukturave të tjera shtetërore, të cilët humbin jetën për shkak të kryerjes së detyrave në ndihmë të strukturave të lartpërmendura.

Në lidhje me problemin e punonjësve të plagosur, ky projektligj nuk parashikon asgjë tjetër veç nenit 8, ku deklarohet se kjo është në dorë të qeverisë. “Këshilli i Ministrave përcakton me vendim masën, kriteret dhe procedurat për ndihmën, trajtimin ekonomik e financiar, kompensimin për dëmtimet trupore dhe shpenzimet për rehabilitimin shëndetësor të kategorisë së punonjësve të plagosur në krye apo për shkak të detyrës, që u përkasin strukturave shtetërore të përcaktuara në nenin 1”, deklarohet në këtë projektligj.

Ndihma për fëmijët

Në projektligjin e ri, të propozuar nga Ministria e Brendshme dhe të dërguar në Kuvendin e Shqipërisë nga qeveria, deklarohet se fëmijët e punonjësve të policisë, SHKB-së, Gardës dhe Zjarrfikësve, që kanë humbur jetën në detyrë apo për shkak të saj, përfitojnë pension familjar të barabartë me pagën referuese të punonjësit në çastin e humbjes së jetës, deri kur secili prej fëmijëve të ketë mbushur moshën 18 vjeç dhe pas kësaj periudhe, bashkëshorti ose bashkëshortja dhe anëtarët e familjes në ngarkim përfitojnë pension familjar e suplementar, sipas dispozitave ligjore në fuqi. Ekspertët shpjegojnë se në rastin e punonjësve të policisë, ata përfitojnë edhe pensionet suplementare. Përfitimet që u jepen në përputhje me këtë vendosen në vlerën 100% të pagës, sa herë që paga, sipas së cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon.

Arsimi publik

Një tjetër ndihmë që u sjell ky ligj familjeve të punonjësve të vrarë ka të bëjë me arsimin. Sipas nenit 3, bashkëshorti ose bashkëshortja dhe fëmijët nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues përfitojnë ndihmë të menjëhershme deri në 200 mijë lekë. Sipas ekspertëve të policisë, kjo vlerë duhet të kishte qenë shumë më e lartë, pasi një vlerë e tillë ka qenë edhe në vendimin e qeverisë, e miratuar që në vitin 1999. Megjithatë këto përfitime, si dhe dokumentacioni i nevojshëm për përfitimin e ndihmës, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm. Ndërkaq, në këtë projektligj është futur edhe një nen për organizimin e funeralit dhe pagimin e shpenzimeve të varrimit të punonjësve të policisë, që u jepet familjarëve në mënyrë të menjëhershme. Kjo është cilësuar në nenin 4, megjithëse në pikën e dytë deklarohet se personat përfitues sipas pikës së parë, si dhe masa e përfitimit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm.

Strehimi dhe bursat

Një pikë e mirë e këtij projektligji është se shteti merr përsipër trajtimin me bursë të plotë për të gjithë fëmijët e punonjësve të strukturave të përmendua, të cilët kanë fituar të drejtën e ndjekjes së studimeve në institucionet publike shtetërore të arsimit të lartë brenda vendit. Ekspertët shpjegojnë më tej se edhe familjet e punonjësve të policisë përfitojnë trajtim të veçantë. Ata do të trajtohen me përparësi për strehim nga Enti Kombëtar i Banesave, sipas kritereve të parashikuara. Ndërsa në ditën përkujtimore të punonjësit të policisë u jepet ndihmë deri në një pagë mujore të gradës më të lartë të nivelit zbatues.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›