E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mot i nxehtë, temperaturat pritet të arrijnë në 38 gradë

Klima

Meteorologët në Tiranë parashikojnë një fundjavë të nxehtë, me temperatura që do të shkojnë mbi 36 gradë Celsius. Por termometri pritet që të shënojë vlera edhe më të larta gjatë javës që do të vijë, duke shënuar edhe temperatura që do të arrijnë në 38 gradë Celsius. Këto temperatura do të përfshijnë sidomos qytetin e Kuçovës, Elbasanit dhe Gjirokastrës. "Edhe këtë fundjavë moti i kthjellët do të jetë prezent në të gjithë territorin shqiptar. Në fakt, pasditja e sotme do të ketë vranësira të lehta, kryesisht përgjatë kufirit lindor. Ndërsa bregdeti dhe zonat e ulëta do të dominohen nga kthjellimet”, tha Lajda Porja, meteorologe. Sipas saj, temperaturat e ditës së djeshme dhe të sotme kanë arritur një maksimale në rang vendi me 37 apo 38 gradë Celsius. Sipas meteorologëve, e hëna, e marta dhe e mërkura do të shënojnë tri ditët më të nxehta në krahasim me ditët e javës së kaluar. Vala e të nxehtit në vendin tonë, është normale për stinën në të cilën ndodhemi. "Edhe pse ditët e para të muajit qershor, erdhën me temperatura më të freskëta, mund të themi që këto temperatura janë tipike për stinën e verës dhe për muajin qershor. Por duhet theksuar që këto janë temperatura të matura në hije, që do të thotë që në vendet e hapura është më nxehtë sesa në hije", sqaroi Porja. Sipas një parashikimi të përgjithshëm, muaji qershor pritet që të mbyllet nga një mot i kthjellët dhe me temperatura relativisht të larta, duke bërë që situata sinoptike të jetë favorizuese për pushuesit në bregdet. Por nuk duhet lënë pa theksuar se kjo situatë do të jetë kritike, sidomos për ata që vuajnë nga sëmundjet kardiake, të cilët sipas mjekëve duhet të eliminojnë daljen në diell gjatë orëve të paradites.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›