“Protestë në 26 nëntor”, Berisha akuzon edhe Gjykatën Kushtetuese: Mbron grushtin e shtetit

Nga Olta Blaceri
Opozita do të protestojë të martën kundër qeverisë Rama dhe Partisë Socialiste. Gjatë konferencës me gazetarët, kryetari i PD Sali Berisha ftoi qytetarët ti bashkohen tubimit të opozitës në 26 nëntor.
“Me datën 26 është protesta tjetër kombëtare, më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria. Ndaj ftoj shqiptarët me datë 26, marshim në Tiranë. E gjithë Shqipëria në Tiranë”, tha Berisha.
Berisha sulmoi gjykatën kushtetuese e cila një ditë më parë vendosi se Spaku nuk ka nevojë për autorizimin e parlamentit për ti ndaluar një deputeti të dalë jashtë shtetit
“Ajo gjykatë për të mbrojtur grushtin e shtetit, përvetësimin e pushtetit të parlamentit për llogari të kryeministrit nga mercenarë, gjyqtarë dhe prokurorë, shkoi gjer në shkallën absurde të shpallë lirinë e lëvizjes si, jo një liri individuale. Dhe sipas saj, liria e lëvizjes nuk është, nuk përfshihet në liritë personale, apo individuale. Nuk mund të ketë akt më poshtërues për një jurist që ka alfabetin e ligjit dhe kushtetutës”, u shpreh ish-kryeministri.
Kryetari i PD Berisha akuzoi gjyqtarët se do të rrëzojnë përgjimet e Sky Encrochat, çështje që ndodhet në fazë shqyrtimi në kushtetuese.
“Këta janë çeta e gjobës. Këta janë bashkëpunëtorë në krime. Pëllumb Gjoka u thotë atyre tani, ndryshojeni pak, hiqni ato Encrochatet se dua të dal i lirë të mbledh vota në Velipojë dhe ata janë gati”, tha kreu i PD.
Kryetari i PD Sali Berisha i dha jehonë rezolutës që Partia Popullore Evropiane miratoi së fundmi për Shqipërinë ku ngrihet shqetësimi për izolimin e liderëve të opozitës në prag të zgjedhjeve.