Protestë në Jarinjë

Të hënën në Jarinjë priten të zhvillohen protesta.
Sllavisha Milentijeviq, afarist nga Leposaviqi, për të hënën, ka paralajmëruar protestë në vendkalimin kufitar në Jarinjë, kjo për shkak se, sipas tij, nuk po respektohet marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit.
Ai ka thënë se afaristë të veriut, të hënën do të organizojnë protestë dy orëshe, në Jarinjë, pasi, sipas tij, EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës nuk po respektojnë marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit.
Milintijeviq, para mediave serbe, ka thënë se gjatë ditës së sotme ka folur me shefin e EULEX-it në Jarinjë, Piter Noro, i cili, thuhet t’u ketë thënë se zyrtarët e EULEX-it në Jarinjë nuk kanë marrë kurrfarë udhëzimi tjetër rreth doganimit të mallrave edhe pas takimit të djeshëm të kryeministrit serb, Ivica Daçiq me Ketrin Ashton, shefen për Politikë të jashtme dhe Siguri të BE-së, i cili është zhvilluar në Bruksel.
Daçiq gjatë ditës së djeshme nga Ashton ka kërkuar që deri më 10 janar, kur do të mbahet raundi i ri i dialogut, të mos paguhet dogana në vendkalimet kufitare, shkruan Express.
Milintijeviq ka thënë se protesta e së hënës do të mbahet nga ora 10:00 deri në orën 12:00 dhe se gjatë asaj kohe, do të lejohen të kalojnë vetëm mjetet me prioritet.
Sipas tij, për këtë protestë janë informuar EULEX-i, KFOR-i si dhe pjesëtarët e MPB së Serbisë.
Serbët nga veriu i Kosovës kërkojnë që të mos paguhet dogana për mallrat të dedikuara për veriun e Kosovës pasi për këtë ata kanë marrë garancione nga qeveria e Serbisë./Indeksonline/