E Martë, 3 Nëntor 2026

Protestë në Rusi – Reagimi pas dënimit të një aktivisti që ka kundërshtuar ofensivën në Ukrainë

Protestuesit në qytetin e vogël rus të Bajmak u përleshën me policinë pasi një gjykatë dënoi një aktivist lokal me katër vjet burg. Fail Alsynov, i cili ka dënuar ofensivën e Moskës në Ukrainë u dënua për nxitje të urrejtjes në qytetin Bajmak.

Ai njihet për fushatat kundër minierave të arit në rajonin e Uraleve, ndërsa është mbrojtës i gjuhës së popullsisë etnike të Bashkirëve. Gjykata ruse e dënoi atë me pretendimin se bëri deklarata raciste gjatë një fjalimi në një mbledhje të këshillit lokal.

Vetë aktivisti mohoi të jetë fajtor, ndërsa këmbënguli se fjalët e tij janë përkthyer gabimisht nga gjuha e Bashkirëve. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e mbledhur në qytetin e vogël në rajonin qendror të Bashkortostanit.

Që nga fillimi i ofensivës ushtarake në Ukrainë, Rusia ka vendosur ligje të rrepta kundër demonstratave dhe protesta të tilla në rrugë janë një gjë e rrallë.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›