E Shtunë, 31 Tetor 2026

Proteste per arrestimet te marten marshim ne Prishtine

Nën organizimin e shoqatave të dala nga lufta, studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe organizatave joqeveritare të martën në Prishtinë organizohet protestë mbarë popullore për të kundërshtuar arrestimet e fundit të kryera nga EULEX-i për krime lufte. Xhavit Jashari ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestë për të mos lejuar, siç është shprehur ai, njollosjen e luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Gjithë këto arrestime, gjithë këto aktakuza, gjithë këto përpjekje për tan njollosur luftën e UÇK-së janë aktakuza që janë ngritur nga Serbia e që po tentohet përmes faktorit EULEX të zbatohen në Kosovë” tha Jashari.

Protesta është mbështetur edhe nga organizatat studentore dhe një pjesë e madhe e organizatave joqeveritare, që deklarojnë se arrestimet e fundit janë përpjekje për të rrënuar lavdinë e luftës së UÇK-së.

“Konsiderojmë se prangosja e çdo ushtari te UCK-së dhe rrënimi i vlerave të ushtrisë sonë çlirimtare është  edhe rrënim I vlerave tona t]ë lirë, pavarësisë dhe demokracisë sonë” tha Sejdi Demiri, Përfaqësues i OJQ-ve.

Organizatorët e protestës thanë se protesta nuk është e drejtuar kundër bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, por vetëm kundër veprimeve të fundit të EULEX-it.

Një ditë para protestës i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, që është edhe përfaqësues i Zyrës Civile Ndërkombëtare ka thënë për media se disa pjesëtarë nga UÇK-së, të cilët janë konsideruar heronj mund të kenë bërë krime apo disa vepra të tjera për të cilat duhet të përgjigjen personalisht.

Policia e EULEX-it para dy javësh arrestoi 11 ish- pjesëtarë të UCK-së dhe lëshoi një urdhër arrest për ish komandantin e tyre tash deputet i Kuvendit të Kosovës Fatmir Limaj, nën dyshimin për krime të luftës të supozuar se janë kryer në fshatin Kleçkë në vitin 1999.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›