E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë për të rivendosur ekuilibrat

Kreu i PS, Rama: Protesta çdo ditë. Nuk do mbarojnë edhe pas 1 majit

Lëvizja qytetare kundër qeverisë “Berisha” është një alternativë e panegociueshme për opozitën e majtë. Në ndryshim nga gjuha e përmbajtur e para disa kohëve, Partia Socialiste ka përshkallëzuar dje gjuhën e komunikimit publik, duke bërë thirrje për protesta të përditshme deri në mitingun kryesor të 30 prillit në Tiranë. “çdo ditë një protestë për t’u takuar që të gjithë më 30 prill në bulevardin e Tiranës. Do të jemi në protestë deri në rivendosjen e ekuilibrave demokratikë në këtë vend, ku pushteti i disave nuk mund të vazhdojë të jetë njësh me shtetin e të gjithëve për interesat e atyre që grabisin votat, gjunjëzojnë drejtësinë, rrënojnë ekonominë”, deklaroi në një konferencë për shtyp kreu i selisë rozë Edi Rama. Kjo është hera e parë që drejtuesi kryesor politik i opozitës përfshin hapur në thirrjen për protesta objektivin e ekuilibrit demokratik mes shtetit dhe pushtetit. Edhe pse ende i paqartë në kuptimin praktik, apeli i Ramës krijon përshtypjen e një zhvendosjeje të negociimit në fushën e ballafaqimit përmes përdorimit të forcës maksimale politike. Aq më shumë nxitës bëhet ky komunikim në distancë, po të mbahet parasysh se në horizont qëndrojnë ngjarje me rëndësi, ku dominon hija e zgjedhjeve lokale. Tendencat e pushtetit aktual për të marrë nën kontroll çdo sektor të jetës publike është ndërkohë një arsye më shumë për të përligjur gjuhën e një opozite, që si e tillë ka një forcë shumë të madhe, referuar sidomos raporteve parlamentare. “Sot, më shumë se kurrë është koha e një lëvizjeje të madhe qytetare në rrugën e protestës për t’u ndarë nga e shkuara e pushtetit që sundon me pahir mbi njerëzit dhe për të afruar të ardhmen e njerëzve që mirëqeverisen falë zgjedhjes së lirë”, vijoi më tej Rama. Një aspekt tjetër me rëndësi në këtë dalje të fundit të kreut socialist është edhe dëshmia që ajo jep për nivelin e marrëdhënieve mes palëve të përfshira në konfliktin 9-mujor. Ndryshe kjo mund të kuptohet edhe si një status i ri i krizës politike që ka fituar qëndrueshmërinë e një marrëdhënieje përtej së cilës nuk duket ende gjë. Kjo situatë, ku pushteti nuk po jep shenja të lëshimit relativ ndaj kërkesave të opozitës, e ka lënë këtë të fundit në shtegun e politikës populiste. Në këtë drejtim thirrjet e Edi Ramës dje kanë fituar një nuancë të re që i komunikohen publikut si shprehje të një situate shumë të rëndë. “U bëj sot apel të gjithë qytetarëve të rimarrin në dorë fatin e tyre të marrë peng prej një pushteti që, pasi grabiti votat, po rrënon ekonominë e vendit dhe të çdo familjeje shqiptare. Të hapim kutitë dhe ndalim rrënimin ekonomik përmes protestave pa ndalim”, tha ai. Një rikthim edhe më agresiv i lëvizjeve protestuese të opozitës, që tanimë është detyruar të kalojë në një shkallë të re ballafaqimi. Vetë ripërkufizimi i objektivave të saj dhe orientimi i aksionit publik drejt idesë së zgjedhjeve të parakohshme po përcakton apo edhe nxit ballafaqimin politik edhe me mjetet e politikë së rrugës. Natyrisht në këtë iniciativë të fundit, përmasa ekonomike e situatës nuk ka munguar që të përfshihet nga selia rozë si argument qenësor për të mobilizuar njerëzit që janë të prekur nga politikat e qeverisë. Të njëjtës shtresë dhe kategori që qeveria u premton rritje pagash apo edhe pensionesh, opozita po i apelon për kundërshtim publik të saj. “Të bashkohemi të gjithë për të refuzuar faturat e papërballueshme të kësaj qeverie që zhytet përditë në borxhe duke rritur çdo ditë çmimin e jetesës për çdo familje”, ka nënvizuar kreu i PS-së, Edi Rama. Një betejë politike që po e çon opozitën drejt një angazhimi maksimal forcash në funksion të kushtëzimit të vendimmarrjes së qeverisë dhe shumicës që prej kohësh ka zgjedhur më mirë të manovrojë sesa të shohë për zgjidhje.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›