Rebelohen vlonjatët, duan rrugë më të mira
Me dhjetëra banorë të lagjes “Partizani” në qytetin e Vlorës kanë protestuar dje për mungesë të infrastrukturës. Në shenjë të rebelimit të këtyre qytetarëve, që banojnë në këtë zonë, ata kanë bllokuar rrugën e spitalit, e cila njëherazi lidh Vlorën edhe me fshatrat e lumit të Vlorës. Banorët në protestën e djeshme kanë kërkuar ndërhyrjen e bashkisë në këtë rrugë, që është dhe më e rëndësishmja në qytet, pasi kalohet për në spital, por edhe për në varrezat e qytetit e fshatra të tjerë. Banorët kanë bllokuar për rreth 30 minuta rrugën në shenjë proteste. Aksi rrugor që të çon për në spitalin rajonal të Vlorës është tejet i amortizuar. Në të nuk është investuar prej vitesh dhe aktualisht situata është e rënduar për qarkullim si të automjeteve, edhe të këmbësorëve. Nuk kemi ku kalojmë, janë shprehur banorët, duke kërkuar ndërhyrjen e bashkisë për rehabilitimin e rrugës, që është jetike për të gjithë komunitetin e Vlorës. Aktualisht, rruga që të çon për në spital, rreth 1 km e gjatë, është e mbushur me gropa dhe dëmtime, që e bëjnë të pamundur qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë që banorët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në këtë aks, nga ana e vendorëve nuk ka pasur asnjë reagim. Banorët janë shprehur për “Shqip” se protesta e djeshme synon sensibilizimin e bashkiakëve. Por në ditët në vazhdim ata kanë kërcënuar se do të protestojnë në numër më të madh, si dhe do të bllokojnë dyert e bashkisë.
#