E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja shpall zyrtarisht 15 vende vakante për gjyqtar

Të gjitha lëvizjet në gjykatat shqiptare, që u miratuan në mbledhjen e datës 1 prill

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shpallur në mbledhjen e datës 1 prill të këtij viti 15 vende vakante për gjyqtarë. Në rendin e parë të ditës ishin diskutimet e anëtarëve të KLD-së për propozimet e komisionit të shqyrtimit të kandidaturave për gjyqtarë. Janë seleksionuar gjyqtarët që pretendonin të transferoheshin në vendet vakante të shpallura në gjykatat e rretheve gjyqësore Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Lushnjë, duke mbajtur parasysh sugjerimet e anëtarëve të Këshillit. Në përfundim, KLD-ja vendosi të miratojë këto propozime, si dhe u saktësuan disa aspekte procedurale lidhur me mënyrën e votimit. Në Gjykatën e Tiranës u emëruan 11 gjyqtarë të rinj, ndërsa dje Presidenti i Republikës ka dekretuar edhe propozimin e KLD-së për caktimin e gjyqtares Elda Vrioni në Tiranë. Ndërkohë, në mbledhjen e datës 1 prill u caktuan edhe 8 gjyqtarë në Durrës, ndërsa 4 të tjerë u dekretuan nga Presidenti i Republikës pas propozimit të KLD-së.

Pasi u diskutuan rreth krijimit të vendeve vakante për shkak të transferimeve sipas procedurave, si dhe pas vërtetimit të fakteve të tjera juridike, KLD-ja vendosi të delegojë disa gjyqtarë për të kryer përkohësisht detyrat e kryetarit në disa gjykata. Në Gjykatën e Dibrës u delegua Altina Nasufi, në Kukës u delegua Granit Qypi dhe në Lushnjë u delegua gjyqtarja Anila Karanxha.

Ndërkohë, KLD-ja shpalli edhe vendet vakante për gjyqtarë. Pas lëvizjeve të fundit është hapur një vend në Durrës, Gjirokastër, tek Krimet e Rënda, në Krujë, Kukës, Lushnjë dhe Pogradec. Dy vende vakante janë hapur në Korçë, Shkodër, Tropojë dhe Vlorë. KLD-ja miratoi edhe 4 vende vakante për inspektorë në KLD. Ndërkohë, pasi u diskutua që Këshilli të përfaqësohet në një çështje në Gjykatën e Tiranës me inspektorin Qemal Zaimi. Në mbledhjen e ardhshme do të diskutohet projektvendimi “Për vlerësimin e aftësive profesionale dhe etike të gjyqtarëve” dhe projektligji “Për bazën e të dhënave shtetërore”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›