PD: Do mbledhim dyfishin e PS-së në shesh

PD-ja ka preferuar të këndojë vetëm pak metra larg, ku 22 deputetë janë në grevë urie
TIRANË - Pas rifillimit të protestave të një dite më parë nga ana e opozitës për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit, mazhoranca do të organizojë sot "festën" e saj "Ditën e Punëtorëve". Në orën 12:00 të mesditës së sotme, Partia Demokratike do të sjellë në sheshin "Nënë Tereza" demokratët, por edhe administratën shtetërore nën flamujt e PD-së dhe që sipas burimeve nga "selia blu" do të tentohet që të jetë dyfishi
i pjesëmarrësve në protestën e opozitës. Megjithëse organizimin e këtij antimitingu në formën e një koncerti festiv, përfaqësuesit e opozitës e kanë cilësuar si një provokim,
që u bëhet protestuesve të saj, shumica në pushtet ka vendosur të realizojë këtë aktivitet disa metra larg Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", ku Partia Socialiste dhe aleatët e saj
jo vetëm do të vazhdojnë të protestojnë, por nga mbrëmë 22 deputetë janë ngujuar
edhe në grevë urie. Kjo distancë e vogël midis pjesëmarrësve në manifestimet e dy partive politike mund të sjellë edhe përplasje apo konflikte midis militantëve partiakë, megjithëse për të siguruar rendin dhe qetësinë publike janë vendosur në të gjitha anët, efektivë të shumtë policie.
Edhe pse festa e 1 majit nuk përkon me orientimin politik të së djathtës, kjo e fundit ka vendosur që të ndjekë mentalitetin politik të sistemit të dikurshëm që kryente festime partiake në ditën e 1 majit, pasi kjo datë përkon me festën e punëtorëve.
Kjo festë që më së miri mund të cilësohet si antimiting, që zhvillohet një ditë pas protestave të opozitës, sipas organizatorëve nuk ka si qëllim qëndrimin opozitar ndaj protestave të së majtës, por vetëm një miting festiv në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave me vendet e hapësirës "Shengen", si dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Sipas burimeve nga Partia Demokratike, janë pikërisht këto dy arsye që e sjellin këtë miting festiv, i cili në fakt do të jetë festa e paradoksit të madh, ku vetëm pak metra më tutje, 22 deputetë të PS-së të ndjekur nga 200 përkrahës do të qëndrojnë në grevë urie nën çadra përballë kryeministrisë.
Madje, kundrejt tyre, PD-ja
ka ftuar të këndojnë edhe këngëtarë apo grupe të njohura si Elita 5, Soni Malaj,
si dhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe njëkohësisht këngëtarja Çiljeta Xhilaga.