A/H1N1 ; Fushatë sensibilizuese edhe në shkolla
Një tjetër nismë është ndërmarrë me nisjen e vitit të ri shkollor në kuadër të parandalimit të virusit H1N1 nga Qendra për Përgjegjësi të Barabarta. Të gjithë nxënësve të klasës së parë në shkollën 9-vjeçare në kryeqytet, “Edith Durham” u është dhuruar nga një sapun si shenjë për ndërgjegjësimin kundër virusit A/H1N1. Por, edhe si një “kujtesë” për institucionet shëndetësore dhe arsimore për marrjen e masave të menjëhershme kundër gripit. Kushtet higjieno-sanitare janë elementët parësorë që duhen zbatuar në luftën kundër virusit dhe përhapjes së tij. “Shkollat janë vendi më i mirë për të sensibilizuar shoqërinë për rrezikun e virusit H1N1 dhe është kjo arsyeja që ne kemi filluar që nga nxënësit e shkollave”, - thotë Ahmet Dursun, drejtori ekzekutiv i qendrës.
Shkollat janë vend ku gripi ka mundësi përhapje më të madhe për arsye se fëmijët janë në kontakt të afërt me bashkëmoshatarët e tyre. Kjo qendër ka zhvilluar edhe aktivitete të tjera sensibilizuese për shoqërinë dhe e ka filluar këtë që nga fëmijët. Në kuadrin e bashkëpunimit të suksesshëm, gjatë vitit 2008, është ndërmarrë projektin "Kam një pemë...", i cili synonte jo vetëm ndërgjegjësimin, por dhe promovimin e natyrës si një kusht ekzistencial për zhvillimin e jetës njerëzore, por edhe aksione konkrete me mbjelljen e pemëve në oborret e shkollave nëntëvjeçare të Tiranës.