“Gërdeci”, Rama: Ne paraqitëm provat, gjykata vendosi për Mediun
Kryeprokurorja Ina Rama pranon humbjen e institucionit që përfaqëson përballë ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Një ditë pas vendimit të dhënë nga ana e Gjykatës së Lartë për çështjen gjyqësore në ngarkim të z. Mediu, ka reaguar Prokurorja e Përgjithshme, pas interesimit të mediave lidhur me përfundimin e kësaj çështjeje dhe ndonjë hapi tjetër që mund të ndërmarrë ky organ për të vijuar gjykimin e ish-ministrit. Por, çështja duket se ka marrë fund dhe nuk do ketë lëvizje tjetër nga ana e institucionit qendror të akuzës, ndërkohë që për përfundimin e gjyqit znj. Rama u shpreh se “prokuroria kreu punën e saj”. “Një vendim i gjykatës është një interpretim i normave kushtetuese që u ka bërë Gjykata e Lartë. Ne kemi mbajtur një qëndrim të ndryshëm në seancë gjyqësore, kemi dhënë argumentet tona, por në fund të fundit është gjykata ajo që vendos”. Ky reagim ka ardhur pas takimit të organizuar nga Ambasada Amerikane për luftën kundër korrupsionit, ku znj. Rama ishte e pranishme së bashku me vartës të saj, prokurorë në Njësinë Task-Force e Prokurori të Përgjithshme, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, si dhe ministrin e Shtetit të dekretuar një ditë më parë nga Presidenti, Genc Pollo. Znj. Rama nuk ka deklaruar dje nëse do të ketë ndonjë veprim tjetër nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me çështjen “Gërdeci”. Nuk dihet nëse prokuroria do ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, apo do t’i drejtohet sërish Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, por që të arrijë të hedhë këtë hap duhet patjetër të paraqesë një akuzë të re. Dy ditë më parë, Gjykata e Lartë vendosi pushimin e procesit gjyqësor në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjykata e Lartë vendosi pushimin e çështjes duke marrë parasysh se Fatmir Mediu u riemërua deputet dhe automatikisht gëzon imunitet të ri. Kërkesa për ndërprerjen e procesit gjyqësor u bë dy ditë më parë nga ana e mbrojtësit të Fatmir Mediut, Ardian Vishaj, kërkesë e cila u kundërshtua nga prokuroria, e cila e cilësoi si të pabazuar në ligj. Sipas prokurorëve, heqja e imunitetit të parë nga Kuvendi për Mediun i vazhdon efektet deri në momentin që gjykata do i jepte pafajësi. Sipas akuzës, vetëm një vendim gjykate ia rikthen imunitetin atij si deputet. Për tragjedinë e Gërdecit, të ndodhur më 15 mars të vitit të kaluar, do të gjykohen katër të pandehurit e arrestuar, Dritan Minxholli, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Sokol Ngjeci, si dhe në gjendje të lirë do të gjykohen ish-ushtarakët dhe zyrtarët e ministrisë së Mbrojtjes, të cilët dyshohet se kanë pasur dijeni për demontimin e armëve në fabrikën e Gërdecit.