Liri, jo frikë
"Liri, jo frikë – Ndalni maninë e kontrollit" - Demonstratë kundër mbledhjes së të dhënave
Demonstratë kundër mbledhjes së të dhënave në Berlin, 12 shtator 2009.
Disa mijëra vetë protestuan në fundjavë (12.9.) në Berlin për mbrojtjen më të mirë të të dhënave personale dhe kundër mbikëqyrjes së tyre prej shtetit dhe ekonomisë private.
"Liri në vend të frikës – Stop manisë së kontrollit dhe survejimit". Kjo ishte motoja e demonstratës në Berlin. Organizatorët thanë se në të morën pjesë 20 000 vetë, sipas policisë ishin vetëm 10 000. Protesta drejtohej ndaj çdo lloj forme të mbledhjes masive së të dhënave individuale dhe përdorimit të tyre e sidomos kundër direktivës evropiane për ruajtjen e të dhënave në formë rezerve, e cila u miratua para rreth dy vitesh edhe prej Parlamentit gjerman.
Dr. Rolf Gessner, Zv.presidenti i Lidhjes Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, mendon se masa të tilla, si ruajtja për disa muaj e të dhënave e shoqëruar me një sërë masash të tjera survejimi dhe kontrolli, nuk i shërbejnë vetëm luftimit të dhunës dhe të terrorizmit.
Vetëm Irlanda dhe Sllovakia refuzuan ta miratojnë këtë direktivë dhe ta inkuadrojnë atë në legjislacionin vendas. Sipas kësaj direktive, të gjitha të dhënat e telekomunikacionit duhet të ruhen për 6 muaj me radhë. Përkrahësit e kësaj ideje e shikojnë këtë gjë si një mjet të efektshëm në luftë kundër terrorizmit dhe kriminalitetit të rëndë. Kritikuesit e saj e hedhin poshtë një gjë të tillë, sepse, sipas tyre, vihet në dyshim e gjithë popullsia dhe se me ndihmën e metodave të tjera të kontrollit dhe të mbikëqyrjes mund të krijohen profile të tëra dhe të plota lëvizjesh.
Kryetari i sindikatës së shërbimeve "Verdi", Frank Bsirske, dënoi shpërdorimin e teknologjive të reja të informacionit, të cilat ndryshe nga ç'pretendohej më parë, nuk kanë sjellë as më tepër demokraci dhe as më tepër punë, që secili e përcakton vetë. "Në realitet me futjen në përdorim të teknikës së informacionit dhe komunikacionit ka shpërthyer një mani kontrolli në shtet, në ekonomi dhe në botën e punës. Ndeshim punëdhënës që, sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, i trajtojnë bashkëpunëtorët e tyre si të ishin bujkrobër”. Kryetari i sindikatës “Verdi” theksoi numrin e shumtë të skandaleve në radhët e sipërmarrjeve shtetërore dhe private, në të cilat janë survejuar dhe kontrolluar fshehurazi qindra-mijëra punonjës.
Zv.presidenti i Lidhjes Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Rolf Gessner, mendon se masa të tilla, si ruajtja për disa muaj e të dhënave e shoqëruar me një sërë masash të tjera survejimi dhe kontrolli nuk i shërbejnë vetëm luftimit të dhunës dhe të terrorizmit. Ai dyshon se "mos pikërisht në këto kohë të vështira krizash ekonomiko-shoqërore shteti në të vërtetë po armatoset në mënyrë preventive edhe kundër pakënaqësive dhe revoltave të mundshme me karakter social?”
Gessner, me profesion avokat dhe zëvendësgjyqtar pranë Gjykatës Kushtetuese të qytetit të lirë të Hanzës Bremen, tha se politikanët kanë "një ndërgjegje kushtetuese katastrofale". Si dëshmi për këtë ai sjell një sërë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese Federale, sipas së cilave vendimet shtetërore për survejimin online të kompjuterave privatë dhe ligji për Zyrën Federale të Kriminalistikës kanë qenë antikushtetuese.