Prova force në Tiranë
Ajo që po ndodh që pas 21 janarit në Shqipëri, është demonstrimi i përditshëm i provës së forcës. Nga njëra anë, një koalicion politik që kërkon të marrë dhe pushtetin qendror veç atij lokal. Nga ana tjetër, një koalicion politik që veç pushtetit qëndror kërkon dhe atë vendor. Një garë normale do të thonte gjithkush: në politikë s’mund të pengosh dikë të mos ketë ambicjen e pushtetit. Ndërkombëtarët, që kërkojnë të na ndihmojnë, u shprehën: u bëjmë thirrje të dy palëve të mos provokojnë dhunë. Nuk po arrij të kuptoj ende nëse ka ndonjë lojë në denoncimin e Drejtorit të FNSH Shemsi Prençi ndaj zv/ministrit të Brendshëm Avenir Peka, (ky I fundit po kryen detyrat e ministrit pas doreheqjes e kandididimit të Lulezim Bashës), apo, çdo gjë është ashtu siç ai thotë. Prençi bën akuza të rënda se Peka ka insistuar në një mënyrë të ulët, duke i prekur dinjitetin, që Forcat speciale, në kundërshtim me ligjin, të përdoren “për të shtypur” militantët e PS në Bathore. Prençi pretendon se reagon pas shkeljes së dinjitetit dhe ligjit nga zv/ministri (ministri de facto) i Brendshëm. Nuk e di nëse ky reagim i Drejtorit të FNSH, është vazhdim i asaj shenje që më dha shpresë pak kohë më parë me të tjerë drejtues institucionesh shqiptare, duke filluar nga Presidenti, Kryeprokurorja, Kreu i SHISH: Rifitimi i dinjitetit e personalitetit të humbur të shqiptarëve. Apo, është thjeshtë një lojë për të treguar tani në fillim që policia “s’i bindet” politikës e për të bërë qejf në kurriz të opozitës më vonë. Pozicioni i Prençit është ende për t’u qartësuar që pas 21 janarit. Por, nëse Prençi me të vërtetë ka vendosur që në këtë jetën e tij të vlerësojë ligjin e dinjitetin, po denoncon një skemë shumë të rëndë. Ai bëhet dëshmitar indirekt edhe i formulës se si funksionoi 21 janari, se si Ministria e Brendshme bën presione me Policinë “për të shtypur” ata që kundërshtojnë pushtetin. Për të përdorur dhunë. Ishin urdhërat e Ministrisë së Brendshme ndaj Gardës më 21 janar shënuan 4 të vdekur? Dikush mori dhe atë ditë në telefon për të shfarosur puçistët kokëpalarë? Cfarë mund të ndodhë nëse herë tjetër gjatë kësaj fushate, Prençi, apo kolegë të tjerë të rangut të tij e të forcave të ndryshme, të kënaqin thirrjet e jashtëligjshme nga Ministria e Brendshme? Drejtësisë i takon të tregojë nëse kjo formulë kërcënimi ndaj policisë funksionoi dhe më 21 janar, ndryshe antishteti do të vazhdojë agresivisht të veprojë.