E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtresat që përfitojnë faljen e pagesave të energjisë

12/04/2011  Grupi i ekspertëve të punës do të detajojë udhëzimet, dokumentacionet dhe procedurën për evidentimin e përfituesve

Verifikimet në terren, klasifikimet për pensionistët, përfituesit e pagesave sociale, jetimet etj

Pas nxjerrjes së vendimit për faljen e detyrimeve të prapambetura të faturave të energjisë elektrike grupet e ekspertëve kanë nisur punën për detajimin e udhëzimeve dhe procedurave që do të ndiqen për evidentimin e të gjitha shtresave përfituese. Aktualisht një grup pune me ekspertë të Ministrisë së Punës po merret me përcaktimin e draftit si dhe udhëzimeve përkatëse që do të ndiqen për zbatimin e vendimit përkatës. Pas zbardhjes së plotë të kësaj procedure dhe miratimit të udhëzimeve përkatëse puna do nisë të zbatohet në terren, ku institucionet përgjegjëse, në bashkëpunim me pushtetin vendor do të klasifikojnë edhe listat zyrtare të kategorive në nevojë, që do t’u falet detyrimi i prapambetur i energjisë elektrike deri në fund të vitit 2006.

Kategoritë

Konkretisht në draftin që po përgatitet, bazuar edhe në programin e qeverisë për mbështetjen e grupeve shoqërore që janë në nevojë, thuhet se është ndërmarrë nisma ligjore për faljen e detyrimeve dhe kamatëvonesave që burojnë nga faturat e energjisë elektrike. Sipas klasifikimeve të bëra nga grupet e punës, pjesë e skemës së faljes së detyrimeve do të jenë të gjithë kryefamiljaret që janë në skemën e ndihmës ekonomike. Ndërkohë ky vendim do të përfshijë edhe gjithashtu edhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi te kufizuara, të verbrit paraplegjikë dhe tetarplegjikë, të lindur ose të bërë të tillë. Këta të fundit duhet të jenë detyrimisht përfitues aktualisht të pagesës së aftësisë së kufizuar pranë njësisë së qeverisjes vendore të vendbanimit të tyre. Një tjetër kategori që do të përfitojë faljen e detyrimeve do të jenë edhe jetimët. Kështu, në draftin e hartuar, por që ende nuk ka marrë formën e tij përfundimtare, specifikohet se do të përfshihet edhe kategoria e personave, të cilët kanë përfituar statusin e jetimit. Sipas llogaritjeve të bëra, lidhur me këtë kategori pohohet se numri i përfituesve në total të shkojë rreth 1000 kryefamiljarë që janë kanë statusin përkatës. Krahas këtyre kategorive është pohuar se do të përfitojnë gjithashtu dhe kategoria e kryefamiljareve, të cilët janë në pagesë papunësie dhe që nuk kanë të ardhura të tjera. Evidentimi i të cilëve do të bëhet pranë njësive të qeverisjes vendore. Po ashtu drafti klasifikon si përfitues edhe kategoritë e grave kryefamiljare, edhe pse kjo kategori nuk është e përfshirë në kategoritë në nevojë. Njëkohësisht janë bërë edhe klasifikimet përkatëse në lidhje me pensionistët që do të përfitojnë nga falja e detyrimeve. Kështu, është klasifikuar si kategori e veçantë edhe ajo e pensionistëve që jetojnë të vetëm, ndërkohë që nuk kanë të ardhura të tjera, si edhe invalidët e punës, pavarësisht se mund të kenë pensione më të larta se pensioni minimal aktual. Veçanërisht për këto dy kategori është pohuar se ato cilësohen si grupe vulnerabel, kjo për vetë faktin se invalidët që janë në moshë mesatare nën 40 vjeç kanë detyrime më të mëdha familjare. Për kategoritë e tjera të pensionistëve që jetojnë vetëm, pavarësish nga masa e pensionit, klasifikohen si kategori në nevojë e, për rrjedhojë, do të përfitojnë faljen e detyrimeve. Gjithashtu është bërë me dije se vendosja e kriterit që pensionistët të mos kenë të ardhura të tjera, ku bëhet fjalë për pensionistët e fshatit është parashikuar të jetë kriter kualifikues. Kjo pasi këta të fundit kanë në përdorim të ardhura nga toka, blegtoria apo të tjera të ngjashme.

Falja e detyrimeve

Detajimet e bëra deri më tani lidhur me numrin e përfituesve potencialë klasifikojnë një numër të madh debitorësh familjarë me rreth 270 mijë abonentë. Në vendimin e miratuar nga qeveria pak kohë më parë lidhur me faljen e detyrimeve të energjisë elektrike për shtresat në nevojë është specifikuar se “falen detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike të faturuar dhe të papaguar ndaj shoqërisë KESH, sh.a., nga debitorët familjarë deri më 31.12.2006. Për këtë shoqëria KESH, sh.a. të bëjë zbritjen e këtyre detyrimeve nga bilancet financiare të saj”. Ndërsa institucionet përgjegjëse si Ministria e Punës, Ekonomisë, Financave dhe ajo e Brendshme do të hartojnë udhëzimet përkatëse në lidhje me procedurat që do të ndiqet për evidentimin e saktë të familjeve që do të përfitojnë faljen e detyrimeve të prapambetura të energjisë.

Skema e ndihmës ekonomike, ndryshueshmëria e listave përfituese

Verifikimet në terren për listat e përfituesve

Pas shpalljes së udhëzimeve, procedurave dhe dokumentacioneve që do të kërkohen për evidentimin e familjeve që do të përfitojnë nga falja e detyrimeve të energjisë në vitet e përcaktuara puna do të zbresë në terren. Strukturat përkatëse, si Shërbimi Social Shtetëror, Instituti i Sigurimeve Shoqërore apo institucionet e tjera homologe në bashkëpunim me strukturat e pushtetit vendor do të klasifikojnë listat zyrtare me kategoritë përfituese. Aktualisht ende nuk janë dërguar pranë këtyre strukturave shkresat zyrtare që konfirmojnë nisjen e punës për evidentimin pranë njësive të qeverisjes vendore të listave që do përfitojnë nga ky vendim. Megjithatë, lista e përfituesve të ndihmës ekonomike gjatë këtyre viteve ka pësuar ndryshime të shumta. Kjo pasi shumë familje i janë larguar skemës së trajtimit për shkak të abuzimeve apo arsye të caktuara, teksa shumë familje të tjera i janë shtuar. Lidhur me këto përcaktime ende nuk është zyrtarizuar se si do të veprohet dhe në do të përfitojnë këto familje nga falja e detyrimeve.

Udhëzimet për procedurën

Tashmë janë udhëzuar institucionet përgjegjëse, e veçanërisht grupet e punës për përgatitjen e udhëzimeve specifike mbi të cilat do të përcaktohet procedura së bashku me listën e dokumentacioneve përkatëse që do të kërkohen për evidentimin e debitorëve që do të përfitojnë nga falja e detyrimeve për energjinë elektrike sipas afateve kohore të përcaktuara. Për këtë ekspertët e Ministrisë së Punës, asaj të Ekonomisë, Financave dhe Ministrisë së Brendshme do të shpallin udhëzimet për procedurën që do të ndiqet për faljen e detyrimeve te kategoritë e parashikuara.

Klasifikimet për pensionistët që do të përfitojnë

Janë parashikuar si kategori e veçantë edhe pensionistët që jetojnë të vetëm dhe nuk kanë të ardhura të tjera, si dhe invalidët e punës, pavarësisht se mund të kenë pensione më të larta se pensioni minimal. Këto dy kategori cilësohen si grupe vulnerabel, sepse invalidët që janë në moshë mesatare nën 40 vjeç kanë detyrime më të mëdha familjare. Gjithashtu sipas detajimeve të bëra është specifikuar që pensionistët që jetojnë vetëm, pavarësisht nga masa e pensionit, do të klasifikohen si kategori më në nevojë dhe do të përfitojnë nga falja e detyrimeve.

Krahas përfituesve edhe 1000 kryefamiljarë me statusin e jetimit

Sipas përcaktimeve të bëra deri tani në lidhje me kategoritë përfituese bëhet me dije se falja e detyrimeve do të shkojë edhe për jetimët. Konkretisht është pohuar se skema do të përfshijë edhe kategorinë e personave që kanë përfituar statusin e jetimit dhe sipas llogaritjeve të bëra pohohet të shkojnë në rreth 1000 kryefamiljarë që gëzojnë statusin. Megjithatë, në udhëzimet përfundimtare që do të nxirren nga institucionet do të përcaktohet edhe procedura e plotë se si do të veprohet për secilën shtresë përkatëse që do të përfitojë nga falja detyrimeve të prapambetura të energjisë.

Shtresat që do të përfitojnë faljen e detyrimeve

- Kryefamiljarët e familjeve që përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike.

- Familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara, të verbër, paraplegjikë ose tetraplegjikë, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të komisioneve mjekësore të posaçme dhe që përfitojnë pagesë aftësie të kufizuar kur personi është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose privat, ose të vetëpunësuar në sektorin privat.

- Kryefamiljarët që përfitojnë pagesë papunësie dhe që nuk kanë të ardhura të tjera.

- Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura dhe janë të papunë.

- Kryefamiljarët që përfitojnë pension për të gjitha kategoritë, si dhe përfituesit me trajtim të veçantë që kanë masë përfitimi më të vogël se të ardhurat minimale që përfitojnë pensionistët që janë pa të ardhura të tjera.

- Kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose privat ose nuk janë të vetëpunësuar.

- Gratë kryefamiljare.

- Të gjithë personat kryefamiljarë që gëzojnë statusin e jetimit. Konkretisht në draftin e propozuar konfirmohet se nga kjo falje do të përfitojnë edhe kategoritë e personave që kanë përfituar statusin e jetimit, ku sipas përcaktimeve të bëra mendohet që numri i tyre të shkojë rreth 1000 përfitues.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›