E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri për ushtrimin e dhunës, do pyeten Prençi e Peka

TIRANE- Prokuroria e Tiranës nis hetimin për përplasjes mes kreut të forcave speciale Shemsi Prençi dhe zv\ministrit të Brendshëm (aktualisht) ministër në detyrë, Avenir Peka. Dy kallëzimet e ndërsjella që Prençi dhe Peka depozituan në organin e akuzës përgjatë të hënës, janë bashkuar në një dosje të vetme dhe hetimi për “krisjen” e fortë mes zyrtarit të lartë të policisë dhe njeriut më të rëndësishëm për momentin në ministrinë e Brendshme i është besuar zv\prokurorit të rrethit, Elio Mazrekut. Burime nga prokuroria bënë të ditur se hetuesit kanë në duar deklarimet e Shemsi Prençit, i cili pretendon se është kërcënuar dhe fyer nga zv\ministri Peka, për shkak se nuk ka zbatuar një urdhër që njeriu më i rëndësishëm për momentin në dikasterin blu i ka dhënë përmes telefonit, për të angazhuar forcat e FNSH-së në një incident në Bathore mes simpatizantëve të dy forcave kryesore politike, PD-së dhe PS-së. Gjithashtu prokuroria ka marrë dhe kallëzimin që zv/ministri Peka depozitoi ndaj Prençit, duke e akuzuar për “shpifje për shkak të detyrës”. Ndërkaq së shpejti, para prokurorëve do të japin dëshminë e tyre dhe dy protagonistët Prençi e Peka.
Akuzat
Shefi i forcave speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi e kallëzoi penalisht në prokurori, eprorin e tij Avenir Peka, për akuzat fyerje për shkak të detyrës, kërcënim dhe tejkalim kompetencash. Sikurse pretendon Shemsi Prençi, në kundërshtim me ligjin Peka e ka urdhëruar të lëvizë drejt Bathores forcat e ndërhyrjes së shpejtë, zonë në të cilën po zhvilloheshin incidente mes simpatizantëve të Partisë Socialiste dhe atyre të Partisë demokratike, për çështjen e vendosjes së flamujve. Ky urdhër nuk është zbatuar nga Prençi me argumentin ligjërisht është e ndaluar që Forcat e Lëvizjes së Shpejtë të angazhohen në fushata zgjedhore, përveçse në rastet e ngjarjeve kriminale.
(s.g/GazetaShqiptare/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›