E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet e lirimit, fillon përgatitja e tezave

07/04/2009  Drejtuesit e AVA-së tregojnë se janë përzgjedhur 20 mësuesit që do të hartojnë pyetjet

Nis puna për hartimin e fondit të pyetjeve që do të përmbajnë tezat e provimeve të lirimit për klasat e 9-a. Drejtuesit e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve bëjnë të ditur se me ndryshimin e rregullores së provimeve gjatë këtij viti edhe për klasat e 9-a do të ketë provime të ngjashme me ato të maturës shtetërore të shkollave të mesme. Për këtë janë grumbulluar 20 mësuesit pranë ambienteve të Agjencisë, ku pohohet se ka nisur puna për përgatitjen e fondit të pyetjeve, nga do të merren më pas dhe pyetjet konkretet që do të përmbajë teza e provimit.

Ambientet

Ambientet ku do të zhvillohen testimet për të gjitha klasat e 9-a do të përzgjidhen nga drejtoritë arsimore të çdo rrethi përkatës. Këto të fundit kanë afat deri më 20 maj që të përcaktojnë listën e vendeve ku do të zhvillohen provimet dhe këtë listë duhet ta dërgojnë pranë Agjencisë në afatin e caktuar. Përzgjedhja e këtyre ambienteve do të bëhet sipas të njëjtave kritere siç veprohet dhe me ato të maturës shtetërore. Në një klasë nuk duhet të ketë më shumë se 15 nxënës, të cilët ditën e zhvillimit të provimit do të vendosen 120 cm larg njëri-tjetrit. Mbyllja e vitit shkollor për nxënësit që do të përfshihen në këto provime do të bëhet më datën 5 qershor, ku do të nisë dhe periudha përgatitore.

Zhvillimi

Sipas rregullores së re, është vendosur që periudha e zhvillimit të sezonit të parë të provimeve për këtë kategori nxënësish do të nisë nga data 6 qershor deri më 27 qershor 2009, ku nxënësit sipas grafikëve të përcaktuar do të testohen për dy lëndët: Gjuhë shqipe e Lexim letrar më 13 qershor dhe Matematikë më 20 qershor 2009. Korrigjimi i testimeve nuk do të bëhet nga mësuesit e shkollave, por nga grupe mësuesish të përzgjedhur, të cilët do të grumbullohen në ambiente të posaçme të drejtorive arsimore për të bërë vlerësimin e testeve. Këto teste gjatë korrigjimit do të jenë të koduara, çka do të thotë se mësuesi nuk do të dijë identitetin e nxënësit gjatë vlerësimit të pyetjeve. Ndërsa nxënësit që nuk do të vlerësohen kalues gjatë sezonit të parë, do të jenë të detyruar t’i japin sërish provimet në vjeshtë, përkatësisht në datat 1-5 shtator 2009 për të dy lëndët.

• Procedura e vlerësimit të testeve

• Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë.

• Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga AVA-ja.

• Skema e vlerësimit është standarde për çdo nxënës. Çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme e dhënë nga nxënësi për çdo kërkesë vlerësohet me pikë sipas skemës së vlerësimit.

• Vlerësimi i testeve do të bëhet nga mësues të jashtëm e jo të shkollës ku nxënësi jep provimin. Përzgjedhja e tyre bëhet nga drejtoritë arsimore sipas një grafiku të caktuar, ku do të bëjë pjesë çdo mësues i shkollës 9-vjeçare, specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues.

• Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit. Në rregullore është përcaktuar se publikimi i përgjigjeve për çdo vlerësim testi duhet të bëhet 15 ditë pas zhvillimit të provimit.

• Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar.

Pyetjet

Sipas ndryshimeve të bëra në rregulloren përkatëse është vendosur që teza e provimeve për të dy lëndët, Matematikën dhe Gjuhë-Lexim, do të jetë e njëjtë për të gjitha shkollat 9-vjeçare, çka do të thotë se të gjithë nxënësit në rang vendi që përfundojnë klasën e nëntë për herë të parë gjatë këtij viti do të japin provime të njëjta. Teza e provimit do të ketë në përmbajtje të saj 20 pyetje për secilën lëndë. Ndërkohë që është vendosur të këmbehen edhe administratorët që do të merren me mbikëqyrjen e provimeve, të cilët do të këmbehen mes shkollave.

Identifikimi

Provimet e lirimit do të zhvillohen gjatë muajit qershor në datat tashmë të caktuara nga udhëzimi i posaçëm i Ministrisë së Arsimit, teksa janë alternuar me ato të provimeve të maturës. Edhe për këtë cikël arsimor është vendosur që gara e provimeve të jetë e ngjashme me atë që ndiqet për provimet e maturës. Ndryshimi i vetëm është se këta të fundit nuk do të pajisen me barkode, por do të sekretohen, ku në fletën e sekretimit do të vendoset një numër i mbyllur, i cili do të hapet vetëm pas korrigjimit të testit, kur të afishohen rezultatet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›