E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaçe Zela: I kam harruar pengjet e mia...

07/04/2009  Vitet bëjnë të vetën. Shpesh sytë lagen më tepër dhe mendimet rrugëtojnë në të shkuarën. Shpirti bëhet i ndjeshëm, thuajse i brishtë si prej fëmije dhe dashuria të prek deri në deje... Për Vaçe Zelën ky përvjtor do të thotë shumë... Urime pa fund dhe dhurata thellësisht njerëzore. Mes tyre shumë të njohur, miq, por jo vetëm kaq. Vendi i saj nuk e ka harruar asnjëherë.

Një mikrofon i larë në ar posaçërisht për 70-vjetorin e artistes, në pllakatin e të cilit shkruhet: “Vaçe Zelës si një grua, si një zë, si një mit”. Kjo është dhurata që Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta Topi i kanë dhënë këngëtares në këtë përvjetor të saj. Bashkëngjitur me këtë “të gjithë shqiptarët” i nisën një urim të gdhendur në dru, ku i shkruanin: “Perlës së muzikës shqiptare nga të gjithë shqiptarët”. Edhe kjo “letër“ ishte e nënshkruar nga çifti Topi...

- Si e vlerësoni organizimin e një mbrëmjeje gala për ju? Çfarë emocionesh përjetoni, duke pasur parasysh se 2009-a kulturore mban edhe emrin tuaj?

- Që viti 2009 mban emrin “Vaçe Zela”, për mua kjo do të thotë shumë. Aq shumë, sa e kam vërtet të vështirë ta përmbledh në fjalë. Nga ana tjetër, dëshira fisnike për të kremtuar përvjetorin tim të shtatëdhjetë më ka prekur shumë. Ju faleminderit të gjithëve për urimet!

- Publiku shqiptar, por dhe më gjerë ju vlerëson thuajse si një legjendë, si një mit. Si ndiheni para të tilla cilësimeve?

- Gëzohem me gjithë shpirt. Këto janë çaste që mund të them se më shtojnë jetën.

- Me kë dhe ku do të donit ti ndanit këto çaste? Ju mungon publiku shqiptar, Shqipëria?

- Do të doja të isha atje, në Shqipëri me ju. Por... më mirë mos më pyetni, sepse prekem shumë. Kjo është ëndrra ime më e madhe. Lus Zotin që kjo një ditë të bëhet realitet. Më ka marrë malli aq shumë për Shqipërinë, më mungon gjithçka prej saj!... Ai vend më ka dhuruar një jetë plot emocione. Ai vend më bëri këtë që ju thoni se unë vazhdoj të jem për ju.

- Do të donit të këndonit edhe një herë në skenë? Çfarë mendoni kur dëgjoni këngët tuaja të këndohen edhe sot?

- Eh!... Do të doja të ngjitesha në skenë, pa dyshim, por tani kjo është e kotë! Jam e lumtur që ato këngë vazhdojnë ti mbijetojnë kohës.

- Në fund të rrugëtimit të tij artistik është normale që çdokush të bëjë bilancin e vet. Në këtë retrospektivë që i bëni aktivitetit tuaj, si i shihni ato që keni arritur? Ju ka mbetur diçka peng nga e gjithë jeta juaj?

- Ndoshta po të më kishit pyetur dikur, kur isha ende aktive në jetën artistike, edhe mund tju kisha thënë diçka. Sot i kam harruar të gjitha këto. Ajo që më ka mbetur thellë në kujtesë është dashuria e pafund që më ka dhënë dhe vazhdon të më japë edhe sot publiku shqiptar.

Këngëtarja, mbrëmje gala për 70-vjetorin

Për të mund të flitet si për një mit. Artistët e mëdhenj gjithmonë ushtrojnë një tërheqje të tillë, gati mbinatyrore tek të tjerët. Por më shumë sesa të flitet për Vaçe Zelën mund të ndihet: në zërin e saj, në këngët që për vite i dhuroi publikut dhe... në melodinë e zemrës. Këngëtarja e njohur feston sot 70-vjetorin e lindjes dhe, edhe pse prej kohësh larg Tiranës, e vendosur në Zvicër bashkë me të bijën, duket se do të jetë e pranishme pranë atyre që e duan dhe shpesh i merr malli për të.

“Vaçe Zela, një grua, një zë, një mit” titullohet koncerti, i pari i këtij lloji për nder të saj. Një mbrëmje gala, përgatitjet për të cilën kanë filluar më se një vit më parë, 15 këngë, më të mirat e Vaçe Zelës, mes të cilave “Valsi i lumturisë”, “Natën vonë”, “Mesnatë”, “Nënave shqiptare”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Nuk e fshehim dashurinë”, “Flakë e borë” etj. do të sillen live gërshetuar me kujtime kolegësh e miqsh. Të orkestruara nga Adrian Hila, ato do të interpretohen nga emra të njohur të muzikës, si Qemal Kërtusha, Myfarete Laze, Irma dhe Eranda Libohova, Juliana Pasha, Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri etj., ndërsa nga Kosova është ftuar këngëtari Naim Krasniqi.

Në një monitor gjigant për të pranishmit do të shfaqen pamje nga festivalet dhe koncertet ku ka marrë pjesë Vaçe Zela, si dhe intervista të saj. Koncerti mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila vitin 2009 e ka shpallur edhe si “Viti Vaçe Zela”, Radiotelevizioni Publik Shqiptar etj.

E lindur më 7 prill 1939 në Lushnjë, Artistja e Popullit Vaçe Zela është pjesë e librit të 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë. Në Paris, e krahasuar me këngëtaren e madhe franceze Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina. Talenti i saj u zbulua qysh në fëmijërinë e hershme dhe më pas ajo do të ishte pjesë festivaleve të muzikës, që në fillimet e tyre në vitin 1962 e deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Fituese e shumë çmimeve në festivale, mund të përmendim shumë këngë të saj, si "Çelu si mimoza", "Djaloshi dhe shiu", "E dua vendin tim", "Ëndrra ime", "Lemza", "Nënave shqiptare", "O diell i ri", "Sot mbusha 20 vjet", "Të lumtur të dua" etj. I janë akorduar një sërë titujsh, si "Artiste e Merituar", "Artiste e Popullit", "Mjeshtre e Madhe e Punës", "Qytetare Nderi e Lushnjës", "Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit" apo "Nderi i Kombit".

Zela ka marrë “Diskun e artë” nga Amerika për kontribut në shoqëri. Në vitin 97 është zgjedhur gruaja e vitit 97-98 në Kembrixh të Anglisë "Mikrofoni i artë", nga Ministria e Kulturës e Kosovës "Çmimi i karrierës" e shumë të tjera. Ndërsa Instituti Biografik Amerikan e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë. Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. E larguar prej vitesh në Zvicër, Vaçe Zela jeton me bashkëshortin e saj, Pjetër Rodiqin, dhe vajzën Irma.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›