E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratia e trurit vijon, indiferenca e politikës vazhdon

Truri, ajka e kombit, shtetit dhe shoqërisë shqiptare ka vite që vazhdon braktisjen e vendit duke emigruar pandalshmërisht drejt shteteve të zhvilluara e moderne perëndimore për një jetë më të mirë.

Largohen, sepse ndihen të papërfillur, të pamotivuar. Askush nuk ka vullnet, përgjegjësi e seriozitet, nuk ka ide, vizion e alternativa të qarta e perspektive për angazhimin dhe përfshirjen e trurit në mbarë institucionet shkencore e akademike apo në administratën qendrore e atë lokale, në institucione të ndryshme shtetërore dhe pse jo, mund dhe duhet të përfshihen edhe në politikë.

Shkaku kryesor për këtë indiferencë dhe shpërfillje ndaj inteligjencës tonë është politika dhe politikanët dritëshkurtër, që më parë mendojnë për punësimin dhe sistemimin e militantëve mediokër e të korruptueshëm.

Çuditërisht, përballë këtij realiteti të dhimbshëm e skandaloz e fare të pakuptimtë, politika, qeveria dhe shteti shqiptar demonstrojnë dukshëm miopi, shurdhëri, memecllëk e pandjeshmëri. Me të vërtetë e pafalshme dhe e patolerueshme një vlerësim dhe qëndrim i tillë ndaj kësaj pasurie të madhe kombëtare e që urgjentisht duhet korrigjuar.

Sikundër dihet Shqipëria importon çdo gjë dhe gjithçka, përfshi këtu edhe barin e thatë për të ushqyer e mbajtur gjallë blegtorinë dhe si për ironi, në këmbim të tyre eksporton me hovarda gjënë më të shtrenjtë dhe pasurinë më cilësore e më të vyer: trurin e vendit. Paradoks më të madh nuk ka dhe nuk mund të gjesh gjëkundi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›