Provimet me zgjedhje, specialistët ngujohen të mërkurën
Në fund të muajit, maturantët do të japin dy provimet e fundit të lëndëve me zgjedhje. Formulari A2 del pas provimit
Specialistët e AVA-s do të hartojnë 20 herë më shumë pyetje nga sa do të përmbajë teza e secilit provim
Më 30 qershor, Matura Shtetërore 2010 mbyllet me provimin e lëndëve me zgjedhje. Nxënës, por edhe ata që kanë përfunduar shkollën e mesme, por që kanë preferuar të rijapin provimet me zgjedhje, do të testohen në dy lëndët e përzgjedhura më parë në formularin A1.
Specialistët e AVA-s edhe për këtë provim të fundit do të ndjekin të njëjtat procedura si në provimet e detyruara. Më datë 23 qershor, ata do të ngujohen në mjediset e kësaj agjencie për të nisur punën për hartimin e pyetjeve.
Sipas rregullores së Maturës 2010, specialistët duhet të përgatisin një fond pyetjesh për secilën nga tetë lëndën e përcaktuara në formularin A1; fizikë, njohuri për shoqërinë, kimi, ekonomi, filozofi, biologji, si dhe gjuhë e huaj.
MASH tashmë ka dërguar në zyrtarisht në AVA programet orientuese, mbi bazën e të cilave do të përgatiten edhe kërkesat e testit. Specialistët do të hartojnë fondin e kërkesave të testeve, bazuar në matricën e specifikimeve, të hartuar nga specialisti lëndor. Ky fond është sa njëzetfishi i kërkesave që do të përmbajë testi.
Në rregullore shpjegohet se pilotimi i njohjes së karakteristikave të kërkesave, procedurave logjistike dhe administrative për realizimin e provimit kryhet nga fondi i kërkesave të hartuara nga çdo grup lëndor, nën drejtimin e specialistit lëndor. Testet e provimeve me zgjedhje do të kenë një strukturë të ndryshme nga provimet e detyruara të maturës.
leta e provimit për një lëndë me zgjedhje përmban 20 kërkesa, kundrejt 25 kërkesave që përmbanin testet e detyruara të Letërsisë dhe Matematikës. Nga totali prej 20 kërkesash, 10 prej tyre janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 10 pikë, ndërsa 10 janë me zhvillim dhe përbëjnë 30 pikë.
Provimet e lëndëve me zgjedhje do të zgjasin plotë katër orë, ku për secilën tezë provimi nxënësi ka në dispozicion dy orë kohë.
Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në programet e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" Elbasan mund të konkurrojnë në këto universitete dhe institute pa qenë të detyruar të japin provimet me zgjedhje, por këta kandidatë duhet të plotësojnë formularët përkatës sipas rastit.
Shikoni dokumentin ne pdf