E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari i mbrojtjes: vrasësit e Demirit të veshur me uniforma

Banda e Lushnjes

Albert Gjyla gjatë dëshmisë së tij, tha se autorët u afruan te furgoni i shqiptaro maqedonasit e më pas e qëlluan


TIRANË- Në seancën e 107 gjyqësore ndaj të pandehurve të akuzuar si pjesëtarë të "bandës" së Lushnjës, që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, u pyet me cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes, Albert Gjyla, i cili ishte i pranishëm në momentin e vrasjes së shtetasit Xhevdet Demiri në gusht të 1997 në hyrje të Lushnjes.


Sipas tij, vrasjen e shqiptaro-maqedonasit e kryen dy persona të veshur me uniformë policie dhe me maska në kokë në kthesë të "Blerimit" në Lushnje. "Xhevdet Demirin e kam njohur, për shkak se banonte afër shtëpisë time. Në fillim të gushtit të vitit 1997, po kthehesha nga fshati Gosë i Kavajës me gruan dhe me 2 fëmijët.


Gruaja dhe djali ikën për Lushnje me fqinjin tonë, ndërsa unë mbeta në stacion duke pritur autobusin. Pas 10 minutave, aty erdhi një fugon ngjyrë mjalti e çelur i cili u ndal dhe pashë që drejtohej nga Xhevdeti, e bashkë me atë ishte gruaja e tij dhe kushëriri im Benet Gjyla.


Në kthesë të Blerimit, në Lushnjë pashë 2 furgona policie. Xhevdeti qëndroi, zbriti të bisedonte me dy persona. Hapa perden pashë dy persona të maskuar me rroba me lara (policie) dhe me maska në kokë. Pas 5 minutash dëgjuam një krismë, gruaja e Xhevdetit zbriti dhe nisi të bërtasë.


Dolëm jashtë pamë Xhevdetin të shtrirë afër personave të armatosur që u larguan"- tha dëshmitari Gjyla. Ai shtoi më pas se kishte dërguar viktimën në spital. I pyetur se në vendin e ngjarjes e kishte parë të pandehurin Arben Boriçin, për prokurorin autori i kësaj vrasjeje, dëshmitari Gjyla i tha gjykatës që nuk e kishte parë aty.


Në lidhje me njohjen me Ilir Stërgun dhe Aldo Baren, dëshmitari tha se nuk i njihte me fytyrë dhe nuk i kishte parë aty atë ditë. Më pas seanca gjyqësore u ndërpre për të vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes, në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve: Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Afrim Hoxha, Arjan Aliçko, Erion Cici, Agur Muzaka dhe Rexhep Gina.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›