Studentet 200 euro për seks me klientë vip
Prokuroria mbylli hetimin për dy tutorët e akuzuar për shfyrtëzim femrash për prostitucion, ndërsa tri studentet akuzohen për ushtrim prostitucioni
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, mbylli hetimet dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të dy "tutorëve" dhe tre "prostitutave", këto të fundit të arrestuar në flagrancë mesnatën e 23 prillit 2010 në ambientet e një hoteli me tre shtetas kosovarë që kishin paguar nga 200 euro për person.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet ku është dorëzuar dosja.
Sipas kërkesës për gjykim, të siguruar nga "Shekulli", mbi dy të pandehurit 33 vjeçarë Besim Lami e Gentian Buzi, rëndon akuza e "Shfrytëzim prostitucionit në rrethana rënduese" pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kohë të ndryshme i shisnin tek klientë të ndryshëm tri vajzat G.M. 24 vjeçe, O.C. 22 vjeçe dhe F.Ll. 23 vjeçe.
Vajzat që ushtronin prostitucion, ishin studente të universiteteve të ndryshme në Tiranë, të cilat për shkaqe ekonomike dhe nga përfitimi i majmë, nuk hezitonin të kryenin marrëdhënie seksuale kundrejt parave.
Ndaj këtyre të fundit prokuroria ka ngritur akuzat e "ushtrimit të prostitucionit" dhe "moskallëzim krimit".
Dy të pandehurit Lami dhe Buzi, të hetuar në masën e sigurisë "arrest me burg" do të vazhdojnë me të njëjtën masë sigurie edhe gjatë gjykimit, ndërsa tri vajzat janë hetuar dhe do të gjykohen në gjendje të lirë me masën e sigurisë "detyrim për paraqitje".
"Nga hetimet dy mujore, të kryera me anë të vëzhgimit nga seksioni kundër trafiqeve të paligjshme të Drejtorisë së Policisë dhe prokurorit të çështjes, është provuar në dy raste përfshirja e të pandehurve Besim Lami e Gentian Buzi në shfrytëzimin e femrave për prostitucion kundrejt pagesave të ndryshme"-thuhet në dosje.
Në rastin e parë, sipas akuzës, Lami dhe Buzi kanë shoqëruar secili për në një hotel nga një vajzë, për të kryer marrëdhënie seksuale me dy persona nga Kosova.
"Me 23 prill 2010, rreth orës 01:30 pas një mbikëqyrje të lëvizjeve të kryera nga i pandehuri Besim Lami dhe Gentian Buzi, policia ka konstatuar se këta dy të pandehur kanë bërë një marrëveshje (pazar) me tre kosovarët, B. Bajraktari, K. Bajraktari dhe D.Ramadani.
Ata kanë paguar nga 200 euro për person për të kryer marrëdhënie seksuale me tri studentet e marra nën akuzë. Pazari ishte bërë nga Lami dhe Buzi, të cilët më pas i ka shoqëruar vajzat G.M., O.Ç. dhe F.Ll. në motel"- thuhet në kërkesën për gjykim.
Vetëm pak minuta pasi kanë hyrë në motel dhe tri vajzat janë vendosur përkatësisht në dhomat 209, 210 dhe 211, policia ka ndërhyrë. Ajo ndaloi në flagrancë femrat që ndodheshin përkatësisht me tre personat nga Kosova, të cilët janë lënë të lirë, pasi janë pyetur nga hetuesit.
Në momentin e arrestimit, policia gjeti dhe sekuestroi 600 euro në çantën e shtetases G.M. e cila më pas do t'i ndante me dy të pandehurit që prisnin në kafen e motelit. Dosja është dorëzuar tashmë në Gjykatën e Tiranës, kancelaria e së cilës nëpërmjet shortit elektronik ka caktuar treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa për gjykimin e saj.
Besim Lami, 33 vjeç, banues në Tiranë
Gentjan Buzi, 33 vjeç, banues në Tiranë
Vajzat që ushtronin prostitucion
G. M, 24 vjeçe, studente, me banim në Tiranë
O. C, 22 vjeçe, studente, me banim në Tiranë
F. Ll, 23 vjeçe, studente, me banim në Tiranë