Provimi i Letërsisë, nis sot vlerësimi i testeve
Ditën e sotme do të nisë vlerësimi i testeve të provimit të parë të Maturës, atij të Gjuhës dhe Letërsisë. Vlerësimi do të jetë me dorë, ndërkohë që rezultatet pritet të dalin brenda dy javësh, por edhe më shpejt, pasi këtë vit janë shtuar qendrat e vlerësimit. Nga katër të tilla që ishin një vit më parë, këtë vit kanë shkuar në gjashtë. Zv/ministri i Arsimit, Halit Shamata, bën të ditura të gjitha detajet e vlerësimit për testet e Letërsisë, duke theksuar se në asnjë rast nuk do të ketë më rikorrigjime të testeve, pasi vlerësimi do të jetë transparent. “Së paku janë 4 persona, dy janë korrigjuesit e radhës që bëjnë një vlerësim të pavarur nga njëri-tjetri dhe nxjerrin një lloj vlerësimi. Në qoftë se ka përputhje, drejtuesi i procesit të korrigjimit, mund t’i hedhë një sy, por problemi është i mbyllur. Në qoftë se nuk ka përputhje, atëherë e merr një person tjetër që bën vlerësim të paanshëm dhe i fundit fare është përgjegjësi i vlerësimit. Mundësia për rikorrigjim është e pamundur, sepse procesi kthehet nga e para dhe në njëfarë mënyrë bëhet i pamundur”, - sqaron Shamata. Më tej, zv/ministri i Arsimit shpjegon se nëse do të vërtetohet se është kopjuar, do të merren masa si për nxënësit ashtu edhe për administratorët. “Në fund të vlerësimit do të verifikohet se cilët nxënës kanë kopjuar dhe sa kanë kopjuar. Në çfarë shkolle janë, në çfarë mjedisi provimesh janë, çfarë rrethi dhe qarku janë dhe kush janë emrat. Pra, database i Agjencisë Kombëtare të Provimeve arrin të identifikojë çdo nxënës që ka kopjuar te një nxënës tjetër”, - shprehet numri dy i Arsimit. Javën tjetër do të ngujohen hartuesit e tezës së Matematikës, ndërkohë që provimi do të jetë më 15 qershor, për ta përmbyllur ciklin e tyre në datën 30 qershor, me provimet me zgjedhje. Sipas rregullores së Maturës, vlerësimi i testeve do të ndjekë këtë procedurë: pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA shpall skemën e vlerësimit të testit. Skema e vlerësimit është standard vlerësues i njëjtë për çdo maturant/kandidat. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga maturanti/kandidati për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve/kandidatëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë të përshkallëzuar.