E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbushet reforma në energjetik, KESH ristrukturohet

Qeveria shqiptare ka përmbushur një nga detyrimet kryesore të reformës në energjetik, duke realizuar ristrukturimin e KESH dhe duke ndarë prej saj, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë. Qëllimi i Politikës së Qeverisë në Sektorin Elektroenergjetik, i pasqyruar dhe në programin e saj, është zhvillimi i një tregu të sigurt dhe konkurrues të energjisë elektrike, për të garantuar furnizimin me energji elektrike te të gjithë konsumatorëve, me çmime të arsyeshme, në një mënyrë të shëndetshme ekonomike dhe mjedisore dhe në përputhje me parimet e pranuara komerciale dhe ligjore të tregut, konform Direktivave të Bashkimit Europian dhe Traktatit të Themelimit të Komunitetit të Energjisë. Për të përmbushur këtë qëllim janë të përcaktuara objektivat kryesore: si krijimi i një industrie elektrike financiarisht dhe teknikisht të fuqishme, i një kuadri ligjor dhe rregullator efektiv dhe transparent, ristrukturimi i KESH-it nëpërmjet ndarjes në ndërmarrje të veçanta shpërndarje, transmetimi dhe gjenerimi, vendosja e rregullave të qarta të tregut, tërheqja e kapitalit privat dhe investimeve nga investitorë strategjik me eksperience. Gjithashtu synim është edhe krijimi i një tregu të energjisë elektrike kompetitiv, në përputhje me kërkesat e BE. Reforma strukturore e KESH për ta shndërruar nga një kompani vertikalisht të integruar, në kompani të ndara sipas funksioneve, pra në Prodhim, Transmetim dhe Shpërndarje dhe në përgatitjen e tyre për privatizim. Tashmë kjo reformë është realizuar. Pala shqiptare ka detyrim të kryejë reformën ligjore, për të hartuar një kuadër ligjor në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe për të mbështetur krijimin e tregut të brendshëm të energjisë elektrike dhe integrimin e tij në Tregun Rajonal. Reformën tarifore, duke synuar që nëpërmjet saj tregu ynë i energjisë të bëhet kompatibel me atë rajonal dhe të realizojë tërheqjen e kapitalit privat vendas dhe të huaj në sektorin elektroenergjetik. Reformën teknike, duke synuar në krijimin e një Sistemi Elektroenergjetik, të aftë për të operuar në rrjetin elektrik rajonal, brenda të gjitha parametrave teknik të pranuara. Traktati i Themelimit të Komunitetit për Energjinë, i vendeve të Evropës Juglindore, është nënshkruar me Tetor 2005. Me nënshkrimin e këtij Traktati, Bashkimi Europian dhe nëntë partnerë të Europës Juglindore – Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Shqipëria, Rumania, Bullgaria dhe UNMIK për llogari të Kosovës – do të krijojnë kuadrin ligjor për një treg të integruar të energjisë. Me nënshkrimin e Traktatit të Komunitetit për Energjinë, Tregu i Brendshëm për Energjinë do të shtrihet në të gjithë gadishullin e Ballkanit. Kjo do të thotë që në Rajonin tonë do të vihen në jetë “acquis communautaire” përkatës për energjinë, mjedisin dhe konkurrencën. Në këtë mënyre do të nxitet zgjerimi i tregut, do të rritet garancia për investimet dhe do të realizohet një kontroll i rregullt dhe i rreptë mbi sektorët e energjisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›