Strategjia e energjia në fokus burimet e reja
Qëllimi i Strategjisë Kombëtare të Energjisë është përcaktimi i drejtimeve kryesore të zhvillimit të një sistemi të sigurt energjetik, mbështetur në parimet e tregut, për plotësimin e kërkesave për energji të konsumatorëve me kosto minimale, duke pasur në konsiderate sigurinë e furnizimit, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e mirëqenies së popullatës. Ndër objektivat më të rëndësishme që duhen realizuar nëpërmjet kësaj strategjie janë disa. E para ka të bëjë me ristrukturimin e sektorit energjetik shqiptar, bazuar në parimet e ekonomisë së tregut dhe në zhvillimin e një politike bashkëkohore energjetike. Krijimi i një kuadri efektiv institucional dhe rregullator, si dhe ristrukturimi i plotë i shoqërive publike energjetike me synim privatizimin e shpejtë te tyre. Nxitja e përdorimit eficient të energjisë, ekonomik dhe me ndikim minimal në mjedis, në mënyrë të tillë që sektori energjetik të jetë një sektor mbështetës për një zhvillim të qëndrueshëm te të gjithë sektorëve të tjerë ekonomik dhe shoqëror. Orientimi më shumë drejt konsumatorit i sistemit të ardhshëm energjetik. Optimizmi i sistemit të furnizimit me burime energjetike, duke u mbështetur në konceptin e planifikimit me kosto më të ulët dhe ndikim minimal në mjedis. Rritja e sigurisë së furnizimit me burime energjetike nëpërmjet diversifikimit të sistemit energjetik dhe ndërtimit të veprave të reja gjeneruese dhe linjave të interkonjeksionit. Nxitja e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë (diellore, HEC-et e vegjël, erës dhe biomasës), për të bërë të mundur shfrytëzimin në maksimum të burimeve lokale. Hapja e tregut të brendshëm të energjisë elektrike dhe pjesëmarrje aktive në tregun rajonal të saj, në kuadrin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë të Vendeve të Europës Juglindore, i cili bazohet në kërkesat e Bashkimit Europian për reformimin e sektorit elektroenergjetik (Direktiva 54/2003 e BE-se).