E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi i TOEFL-it: Ta japin në fillim pedagogët, më pas studentët

09/02/2012  Studentët kërcënojnë me grevë urie ministrin e Arsimit

ELBASAN- Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Elbasanit kanë protestuar sërish kundër vendosjes së anglishtes ndërkombëtare si test i detyrueshëm para marrjes së diplomës. Ata janë mbledhur në oborrin e këtij fakulteti të gjithë së bashku, me pankarta në duar, një zëri kërkojnë nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit t’i respektojnë ata dhe të mos vënë kushte, si: rregullimi të stazhit për profesionet, imponimin e provimit të anglishtes si kusht diplomimi dhe financimin e institucioneve të arsimit të lartë. Në këtë protestë që ka zgjatur më shumë se 40 minuta, të gjithë kanë thënë fjalën e tyre duke qenë kundër. Arsyeja e protestës lidhet me ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë, pika ku flitet për mbrojtjen dhe certifikimin e gjuhës së huaj. Sipas studentëve, MASH, e cila ka propozuar këto ndryshime, ka cenuar të drejtën e studentëve në disa aspekte. Studentët thonë se ata do të vazhdojnë të protestojnë madje do ta përshkallëzojnë grevën duke hyrë në grevë urie nëse ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, do të vazhdojë të heshtë para grevës së tyre. Më shumë se 200 studentë e kanë mbështetur protestën edhe pse temperaturat e ulta dhe era e bënë të vështirë tubimin e tyre kundër anglishtes. Protestat e studentëve kanë nisur pas më shumë se 1 vit e gjysmë pas miratimit në Parlament të të gjitha amendimeve në ligjin e arsimit të lartë. Sipas këtij ligji, të gjithë ata studentë, të cilët kërkojnë të vazhdojnë një studim pasuniversitar, master apo doktoraturë, nuk marrin titullin në rast se nuk kanë marrë kualifikimin dhe nuk kanë kaluar testimet ndërkombëtare të njohura për certifikimin e gjuhës angleze. L. Lleshi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›