E Diel, 1 Nëntor 2026

Importi i energjisë, qeveria përdor fondin e kontingjencës

09/02/2012  Ministri Bode: Fondi i mjaftueshëm për dy muaj. Nëse duhet, do të ndërhyjmë në buxhet

Qeveria ka vënë të gjithë fondin e kontingjencës në dispozicion të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Kriza hidrike dhe energjetike ka detyruar blerjen pa kufizim të energjisë elektrike në rajon. Vetë ministri i Financave tha se financimi për kontratat e energjisë nuk ishte parashikuar, por kushtet aktuale e detyrojnë qeverinë për dhënien e fondeve shtesë. "Është deklaruar tashmë nga ana e qeverisë se do të bëjë të gjitha sakrificat e nevojshme për të mbajtur të pandërprerë furnizimin me energji elektrike të ekonomisë dhe popullatës. Në vijimësi me zhvillimin e situatës hidroenergjetike në vend do të merren dhe ndërhyrjet e tjera të nevojshme. Pra, në momentin e parë do të jetë një kontingjencë e lënë në dispozicion të qeverisë për t’u përdorur në raste të tilla të emergjencave dhe për të mbajtur stabilitetin financiar të vendit", - deklaroi dje Ridvan Bode, ministër i Financave. Mungesa e reshjeve të shiut dhe shkrirja e borës duket se do t’i mbajnë rezervat hidrike në nivele kritike, çka veç përdorimit të fondit të kontingjencës detyron dhe një skenar tjetër në financa. "Kontingjenca është e mjaftueshme për një furnizim një deri në dy muaj me energji elektrike me kushtet që kemi aktualisht, ku situata hidrike është e pamjaftueshme. Nëse kjo nuk do të jetë e mundur, do të ketë ndërhyrje në buxhetin e shtetit. Çmimet e energjisë në tregun rajonal janë të rritura, që shënohen në fundin e vitit të kaluar", - vijoi Bode. Për sa i përket ndikimit që mund të ketë kjo ndërhyrje financiare në borxhin publik, ministri theksoi se "niveli i borxhit nuk përbën asnjë rrezik për ruajtjes e stabilitetit financiar dhe makroekonomik të vendit, ndërkohë që prioritet i qeverisë është rritja e treguesve ekonomikë". Gjithashtu mësohet se borxhi publik nuk është problem për ekonominë, aq më pak nuk përbën një kusht për të marrë kredinë e Bankës Botërore në kuadër të mbështetjes së saj financiare në kohë krize. Në buxhetin e vitit 2012 fondi i kontingjencës për ruajtjen e deficitit është 2 miliardë e 661 milionë lekë. Qeveria ka në dispozicion dhe një fond tjetër prej 2 miliardë lekësh, që përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Nga ana tjetër, negociatat mes qeverisë, kompanisë private “CEZ” dhe KESH-it duket se janë drejt finalizimit. CEZ-i do të paguajë një pjesë të borxhit që i ka kompanisë “KESH”, duke i mundësuar asaj blerjen e energjisë. Pak kohë më parë qeveria vuri në dispozicion 4.5 miliardë lekë garanci, që KESH-i të merrte kredi nga bankat për të paguar faturat e importit. Por edhe një situatë e tillë nuk i dha zgjidhje situatës. Rezervat hidrike ndodhen në pikën e tyre minimale, dhe kjo situatë ka detyruan KESH-in të bëjë importe të mëdha dhe me kosto të lartë, ndërsa CEZ-i dhe OST-ja kanë shtuar kufizimet. Sipas të dhënave, konsumi ditor i energjisë në vend varion nga 24 në 25 milionë kilovat-orë. Ndërkohë rezervat hidrike vijojnë të jenë jo të favorshme për prodhim të energjisë.

2,66 miliardë lekë

është fondi i kontingjencës në buxhetin e këtij viti, i cili ishte parashikuar për ruajtjen e deficitit buxhetor. Këtë vit ky fond do të përdoret për blerje energjie. Gjithashtu mësohet se qeveria shqiptare ka në dispozicion dhe një fond tjetër prej 2 miliardë lekësh, që përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore.

25 milionë kWh

është konsumi ditor i energjisë energjisë elektrike. Aktualisht, KESH-i prodhon 14 milionë kWh energjie në ditë, ndërsa pjesa tjetër vjen nga importi ditor. Kjo sasi është rreth 5 milionë kWh më shumë se ajo e një viti më parë, e cila, duke pasur parasysh situatën e rëndë hidrike, po rëndon buxhetin e shtetit.

Energjia, problem edhe kufizimet

Kërkesa e lartë për energji dhe situata jo e favorshme hidrike kanë bërë që importi i energjisë elektrike të ngelet në sasi të larta. Të dhënat më të fundit nga Korporata Elektroenergjetike tregojnë se gjatë së hënës nga burimet energjetike jashtë Shqipërisë u blenë rreth 11 milionë kilovat-orë. Kjo sasi importi u sigurua nëpërmjet kontratave që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe ÇEZ-Shpërndarje kanë me kompanitë që mundësojnë import. Sipas të dhënave, konsumi ditor i energjisë në vend varion nga 24 në 25 milionë kilovat-orë. Ndërkohë rezervat hidrike vijojnë të jenë jo të favorshme për prodhimin e energjisë. Niveli i ujit në Fierzë gjatë së hënës ishte 262 metra e 40 centimetra, ndërsa prurjet ishin vetëm 90 metër kub ujë në sekondë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›