E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi i shtetit, testimet e para në muajt nëntor-dhjetor

04/05/2011  Kushtet për të marrë licencat për profesionet e rregulluara

Profesionet mjekësore, para testimit duhet shlyer detyrimi i praktikës

Kryerja e praktikës profesionale klasifikohet si kushti bazë që të diplomuarit në dhjetë profesionet e rregulluara duhet të kryejnë për t’u përfshirë më pas në provimin e shtetit, rezultatet pozitive të të cilit lejojnë edhe marrjen e licencës. Testimet e para për provimin e shtetit do të kryhen në muajt nëntor-dhjetor, ku deri në këtë afat kandidatët që mbarojnë apo kanë mbaruar studimet e larta në degët e mjekësisë, farmacisë, infermierit, mamisë, fizioterapisë, veterinerit, arkitektit, inxhinierit, mësuesisë, drejtësisë dhe profesione të tjera të rregulluara me ligj të veçantë, duhet të kenë shlyer detyrimet e ndjekjes së praktikës profesionale për një afat kohor prej gjashtë muajsh. Veçanërisht për profesionet mjekësore rregullorja përcakton që frekuentimi i praktikës do të jetë i ndryshëm për të diplomuarit dhe ata që janë në proces diplomimi. Konkretisht bëhet e ditur se studentët që janë diplomuar pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, do të merret parasysh periudha e praktikës profesionale të zhvilluar gjatë programit mësimor. Kjo për një afat kohor deri më tre muaj. Ndërkohë që për realizimin edhe të tre muajve të mbetur, kjo kategori do të duhet të regjistrohet pranë urdhrit përkatës, deri më 15 qershor. Regjistrimi pas këtij afati nuk mundëson të drejtën e regjistrimit në provimin e shtetit për sezonin nëntor-dhjetor 2011 për studentët e farmacisë, çka do të thotë se duhet të presin sezonet e tjera për të marrë licencën e profesionit. Ndërsa për studentët që ende nuk janë diplomuar procedura do të jetë e ndryshme. Kështu për studentët e padiplomuar të farmacisë rregullorja përcakton se kanë të drejtë të regjistrohen në regjistrin e praktikantëve pranë urdhrit përkatës deri më 15 maj. Kjo kategori duhet të plotësojë edhe disa kushte të tjera si “të kenë realizuar pjesën teorike të programit mësimor të vitit të fundit, të detyrueshme për t’i dhënë të drejtën që të kryejnë praktikën profesionale në farmaci (pajisen me vërtetim të posaçëm nga sekretaritë e universiteteve). Edhe për këtë kategori konfirmohet se regjistrimi pas afatit të përcaktuar do të thotë përjashtim nga provimi i shtetit, për rrjedhojë do duhet të presin për të ligjëruar ushtrimin e profesionit.

Detyrimi

Para hyrjes në provim, të gjithë kandidatët duhet të kenë kryer edhe praktikën profesionale sipas përcaktimeve të bëra për secilin profesion, ku klasifikohen degët e mjekësisë, farmacisë, infermierit, mamisë, fizioterapisë, veterinerit, arkitektit, inxhinierit, mësuesisë, drejtësisë dhe profesione të tjera të rregulluara me ligj të veçantë. Kandidati ka të drejtë ta japë provimin e shtetit jo më shumë se pesë herë. Kur provimi është kryer me sukses, nuk lejohet të përsëritet. Provimi i shtetit organizohet çdo vit brenda periudhave kohore: “java e tretë e nëntorit deri në javën e dytë të dhjetorit, si dhe gjatë muajit maj”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›