E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rruga e vetme, njësoj si socializmi i Enver Hoxhës”

04/05/2011  Kryeministri Berisha në Lushnjë fton qytetarët të votojnë Albert Sanxhakun

“Ti lëmë nostalgjikët në rrugën e tyre, ne të vazhdojmë në rrugën tonë”

Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar dje në qytetin e Lushnjës kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Albert Sanxhaku. Gjatë fjalës së tij, kryeministri ftoi qytetarët që të votojnë për Sanxhakun, pasi sipas tij vota për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” është votë për të ardhmen. “Unë vij këtu për t’ju garantuar se fitoren e zotit Albert Sanxhaku dhe fitoren e zotit Irakli Gorea në Divjakë dhe të kryeqytetarëve tuaj në komuna do ta shndërrojmë në një sukses evropian për çdonjërin prej jush, do ta përdorim për të ndërtuar së bashku me ju rrugët e rrugicat evropiane të Lushnjës. Katër vitet që vijnë, Lushnja - qytet i zhvilluar, Shqipëria - vend i zhvilluar. Këto 20 vite, me lumenj djerse, sakrificash dhe mundi, ne ngritëm Shqipërinë e falimentuar në Shqipërinë që kryeson rritjen ekonomike në Evropë”, tha Berisha. Menjëherë më pas kryeministri bëri krahasimin me sloganin e hedhur nga kundërshtari i tij politik në këtë fushatë, të cilën e quajti alternativën e vetmisë: “Alternativa tjetër është alternativa e të vetmes rrugë. Të dashur të reja e të rinj, ju nuk e dini se çfarë ka qenë ajo. Pyesni baballarët e gjyshërit tuaj, do t’ju rrëfejnë se e vetmja rrugë ishte slogani që përsëritej në çdo faqe, në çdo shkrim, në çdo emision, në çdo gazetë dhjetëra e qindra herë në ditë nga diktatori Enver Hoxha. Le t’ia lëmë nostalgjikëve të tij, rrugën e vetme. Ne të ndjekim rrugë që na bashkojnë me njëri-tjetrin, të ndjekim përpjekjen tonë të përbashkët për Lushnjën evropiane, për Shqipërinë evropiane. Alternativa jonë bazohet në projekte, bazohet në fonde dhe financime, bazohet në mund e djersë, por alternativa jonë, para së gjithash bazohet në vlera morale të qytetarëve të lirë, bazohet në besimin e qytetarëve tek vetja, tek njëri-tjetri, tek familja, tek vendi”, tha kryeministri. Në fund Berisha u shpreh i bindur për fitoren e koalicionit të djathtë në të gjitha qytetet e vendit, pasi, sipas tij, kjo është alternativë e zhvillimit dhe e rrugëtimit të shqiptarëve drejt BE-së. “Ditën e hënë, nis rrugën fitorja, fitorja në Lushnjë, fitorja në Mat, fitorja në Tiranë, fitorja në mbarë Shqipërinë”, përfundoi Berisha. Në mbrëmje Berisha ishte dhe në qytetin e Vlorës, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar Bashkie, Ardian Kollozi, i cili garon përballë kandidatit aktual të Bashkisë, Shpëtim Gjika.

Integrimi

Por ne, diktatura dhe paudhësi të tjera na mbajtën larg Evropës, na mbajtën larg pasurive tona. Sot, ne jemi të vendosur çdo ditë, çdo javë, çdo muaj e çdo vit të shndërrojmë pasuritë e pafundme të Lushnjës dhe Shqipërisë në vlera për ju, qytetarët e Lushnjës, në vlera për shqiptarët. Ne jemi të vendosur me mundin, djersën, dhe vizionin tonë, të ndërtojmë në Lushnjë Evropën.

Premtimi

Zotimi im për ju është: katër vitet që vijnë, Lushnja - qytet i zhvilluar, Shqipëria - vend i zhvilluar. Këto 20 vite, me lumenj djerse, sakrificash dhe mundi, ne ngritëm Shqipërinë e falimentuar në Shqipërinë që kryeson rritjen ekonomike në Evropë. Lushnjën do ta shndërrojmë në Lushnjën universitare, Lushnjën turistike, Lushnjën e kulturës, Lushnjën e fermave.

Mesazhi

Alternativa tjetër është alternativa e të vetmes rrugë. Të dashur të reja e të rinj, ju nuk e dini se çfarë ka qenë ajo. Pyesni baballarët e gjyshërit tuaj, do t’ju rrëfejnë se e vetmja rrugë ishte slogani që përsëritej në çdo faqe, në çdo shkrim, në çdo emision, në çdo gazetë dhjetëra e qindra herë në ditë nga diktatori Enver Hoxha. Le t’ua lëmë nostalgjikëve të tij, rrugën e vetme.

Gjykata e Tiranës

Afat deri më 6 maj për “lejet e votimit”

Gjykata e Tiranës njoftoi dje se ka nisur procesin e gjykimeve të kërkesave për "leje votimi", në bazë të nenit 55 të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon për qytetarët që nuk kanë emrin në listat përfundimtare të zgjedhësve të shpallura nga KQZ, në respekt të Kushtetutës, kanë të drejtë të kërkojnë nga Gjykata verifikimin dhe vendosjen e emrit të tyre në lista. Në Gjykatën e Tiranës deri tani janë regjistruar 27 kërkesa për lejim votimi. Paditë për leje votimi do të depozitohen në gjykatë deri në datën 6 maj 2011, në orën 24.00. Pas kësaj date, sipas nenit 55 të Kodit Zgjedhor, nuk do të pranohet asnjë kërkesë, ndërsa shqyrtimi i tyre do të vazhdojë deri ditën e diel, në datën 8 maj 2011, ora 13.00. Kërkesat për "lejim votimi" në bazë të shortit do të shqyrtohen nga të gjithë gjyqtarët e dhomës civile.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›