E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi për mësuesinë, për herë të parë këtë vit

Pasi kanë mbaruar studimet, të rinjtë duhet të kryejnë një vit praktikë e më pas e provimin e shtetit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të quhen mësues. Këtë vit kanë të drejtë të kryejnë këtë test vetëm ata që kane përfunduar vitin e praktikës profesionale. Kështu shprehet zëvendës ministrja Nora Malaj, e cila thotë se ky kalvar i gjatë hapash që duhet të ndjekin mësuesit e rinj do të çojë drejt përmirësimit të cilësisë.

"Mbasi kanë mbaruar sistemin bachelor automatikisht duhet të vazhdojnë sistemin master dhe më pas të bëjnë një vit punë pranë qendrave arsimore me tutor dhe pas kësaj do t'i nënshtrohen provimit të shtetit. Pasi t'i nënshtrohen provimit të shtetit që standardizon titullin e mësuesit për lëndën e caktuar atëherë këta janë kontingjent i gatshëm për të shkuar pranë drejtorive rajonale dhe për të vazhduar procesin e punësimit", tha Malaj, cituar nga “AS”.

Mësuesit e rinj do të testohen, përveç lëndëve për të cilat janë diplomuar, edhe për drejtshkrimin. Pyetjet e këtij grupi do të zënë 40 për qind të tezës. Provimi do të organizohet, ashtu si dhe provimet e tjera të shtetit, për profesionet e rregulluara në mënyrë dixhitale. Vetëm mësuesit që kalojnë me sukses provimin e shtetit do të kenë të drejtë të aplikojnë për vendet e lira të punës në shkollat e rretheve të ndryshme të vendit.

Pak kohë më parë MASH ka nxjerrë rregulloren për praktikën profesionale. Ajo zgjat një vit dhe për këtë periudhë mësuesve do t'u paguhen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Në praktikë nuk futen të diplomuarit pa master. /Start/

                                                                                             2012-08-19 17:10
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›