E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëhelmohen 3 gra në një ditë

Varfëria, depresioni dhe një zënkë me vjehrrën janë bërë shkak që tri gra të tentojnë vetëflijimin në harkun e 24 orëve në qarkun e Sarandës dhe në Himarë.

Lajmi konfirmohet nga burime të spitalit të Sarandës, ku janë paraqitur në gjendje të rëndë dy 28- vjeçare dhe një grua tjetër 40 vjeçe. Mësohet se 28-vjeçarja E. Telo, nga fshati Çukë, rreth 5 km larg qytetit të Sarandës, ka tentuar ti japë fund jetës duke konsumuar rreth 30 tableta aspirina dhe një sasi të konsiderueshme tabletash të tjera me veprim antigripale. Bashkëshorti i saj e ka dërguar 28-vjeçaren në gjendje të rëndë në spital. Pas mjekimit paraprak dhe lavazhit në spital, ai ka këmbëngulur ta dërgonte të shoqen për një trajtim më të specializuar në një nga spitalet e Janinës, duke qenë se ai punonte prej vitesh në këtë qytet dhe se aty ishin të pajisur me librezën shëndetësore. Ndërkaq, policia ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se shkak i tentativës për vetëflijim ishte bërë një zënkë e 28-vjeçares me vjehrrën e saj. Bashkë me të shoqin ajo ishte kthyer pa ditë më parë nga Greqia për të festuar Shën Marinë në fshatin e tyre. Ndërkaq, një tjetër 28-vjeçare, P. Mërkuri, nga fshati Pilur, por banore në Himarë, është paraqitur në urgjencën e Sarandës e shoqëruar nga familjarë të saj. Ajo është transportuar pasi kishte pirë rreth 50 kokrra aspirinë. Pas ndihmës së parë mjekësore, ajo është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, pasi jeta e saj ishte në rrezik. Policia bëri të ditur se shkak i ngjarjes ishte depresioni. Familjarë të saj kanë deponuar se prej disa kohësh vuante nga depresioni. Një tjetër grua, 40 vjeçe nga fshati Tatzat, rreth 50 kam larg qytetit të Sarandës, është sjellë në urgjencë dje, pasi kishte tentuar ti jepte fund jetës duke konsumuar një sasi të konsiderueshme tabletash të llojit Lindan. Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, edhe 40- vjeçarja është transportuar për mjekim më të specializuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, ndërsa mësohet se shkak për një vendim të tillë fatal ishte bërë gjendja e vështirë ekonomike në të cilën ndodhej.

SARANDE/ SHPRESA DINE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›