E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Bashkimi Sovjetik fitoi luftën kundër Gjermanisë

Nga Saimir Lolja

Më 22 Qershor 2013 mbushen 72 vjet nga dita kur ushtria gjermane sulmoi Bashkimin Sovjetik. Botimeve të deritanishme në Lindje e Perëndim iu mungojnë të dhënat për numrin, llojin, madhësitë e vendndodhjet e armatave sovjetike në vigjilje të sulmit të ushtrisë gjermane kundër Bashkimit Sovjetik. Këto të dhëna janë akoma sekret shtetëror në Rusinë e Madhe. Edhe nëpër dokumentarët e Luftës II Botërore kapërcehen njoftimet për numrin dhe vend-ndodhjen e armatave sovjetike të këmbësorisë, për numrin dhe llojet e armatave të tankeve, për armatat e parashutistëve, për numrin dhe llojet e armatave të aeroplanëve, si dhe për llojin e fortikimeve në kufinjtë perëndimorë të BRSS. Në Lindje e Perëndim, librat dhe enciklopeditë e Luftës II Botërore nuk japin as të dhëna të tilla dhe as harta të vendosjes së trupave sovjetike. Fitimtarët e Luftës II Botërore duket se janë marrë vesh jo vetëm për ndarjen e zonave të ndikimit, por edhe si do shkruhej më pas historia e Luftës II Botërore. Shkrimi i mëposhtëm është mbështetur kryesisht në librin Krye fajtori: Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën II Botërore të autorit Viktor Suvorov (Viktor Suvorov, The Chief Culprit: Stalin’s Grand Design to Start World War II, Naval Institute Press, 2008). Autori ka qenë analist zgjuarsie në zbulimin ushtarak sovjetik [GRU] dhe ka kaluar nëpër duar dokumenta të arshivave ruse që edhe sot e kësaj ditë janë të mbyllura. Ai u arratis në Perëndim në vitin 1978 dhe deri më tani ai ka botuar një seri librash. Për arsye domosdoshmërie, rrjedha e fakteve dhe ngjarjeve nis që nga Lufta I Botërore.

Në foto: Vetëm në kufirin perëndimor të Rusisë së Bardhë, ushtria sovjetike braktisi 25’000 vagona hekurudhorë plot me municion artilerie, më 22 Qershor 1941.

Fig6Vijon nga numri i kaluar
DREJT BERLINIT
Prej natyre, lumi i madh Dnepr bllokon lëvizjen nga Perëndimi drejt Lindjes. Para vitit 1939, të gjitha urat e këtij lumi ishin minuar. Në fillim të viteve 1930 ishte krijuar edhe flotilja ushtarake e këtij lumi, e cila më 1941 numëronte 120 anije luftarake dhe mbështetej nga fortifikime, artileri me kalibër 130-mm në brigjet lindore të lumit dhe skuadrilje aeroplanësh. Një vijë e tillë mbrojtëse në këtë lumë pengonte çdo përparim drejt rajoneve industriale të Ukrainës jugore dhe bazave detare të Detit të Zi. Që nga Maji 1940 kur ushtria gjermane sulmoi Francën, Stalini urdhëroi prishjen e vijës mbrojtëse të lumit Dnepr. Minat u hoqën nga urat dhe flotilja e dërgua në lumin Danub, në kufi me Rumaninë, për të mbështetur sulmin e ardhshëm në këtë drejtim dhe për të përparuar nëpërmjet Danubit drejt Austrisë.
Armata 9 sovjetike u krijua në Vjeshtën e vitit 1939. Një javë pasi u pozicionua si duhej në kufi me Finlandën, ajo sulmoi për çlirimin e Finlandës. Pas mbarimit të kësaj lufte, kjo Armatë më 26-03-1940 u fshi nga lista, për tu dukur papritmas në Qershor 1940 në kufi me Rumaninë. Pas çlirimit të Besarabisë dhe Bukovinës Veriore, kjo Armatë më 10-07-1940 u fshi përsëri nga lista. Në fakt, trupat qëndruan pranë kufirit, porse si ushtarë që i përkisnin njësive ushtarake të vogla. Më 14-06-1941, Armata 9 mbiu përsëri nga dheu në kufi me Rumaninë dhe filloi të përforcohej me armët më të fundit dhe oficerët më të mirë. Në këtë Armatë bënte pjesë edhe Divizioni 30 Malor Pushkatar Irkutsk, i cili ishte pozicionuar në krah të djathtë të Armatës 9 sovjetike, përballë vargmaleve Karpate të Rumanisë. Përbri Armatës 9 sovjetike ishte Armata 12 Malore sovjetike e pozicionuar përballë vargmaleve Karpate të Rumanisë e Polonisë. Kjo Armatë ushtarët i kishte nga rajonet malore të Kaukazit dhe ishte pajisur me armatim e mjete për luftim malor.
Më 13-06-1941, Agjensia Telegrafike e Bashkimit Sovjetik (TASS) lëshoi një njoftim në radio sipas të cilit ….Gjermania dhe BRSS po i zbatojnë si duhet kushtet e paktit gjermano-sovjetik të mos-sulmimit;…..dhe se zërat e përhapura për një sulm të Gjermanisë kundër BRSS janë thjesht një fabrikim propagande nga armiqtë e Gjermanisë dhe BRSS. Stalini ishte hartuesi i këtij njoftimi të çuditshëm. Për një dëgjues radioje të mefshtë njoftimi ishte një shenjë qetësimi; për Ushtrinë e Kuqe njoftimi ishte shenjë kushtrimi. Skalioni i Parë Strategjik i ushtrisë sovjetike kishte 170 Divizione tankesh, të motorizuara, kalorësie dhe pushkatarësh. Nga këto 56 Divizione ishin vendosur në buzë të kufirit dhe 114 Divizionet e tjera ishin pak më thellë. Më 13-06-1941, të 114 këto Divizione morën urdhër të lëviznin drejt kufirit. Po në të njëjtën datë, Divizione të rajonit të maleve Ural morën urdhër të fshehtësisë më të lartë për tu zhvendosur në kampe të rinj më në Perëndim, konkretisht në pyjet e Rusisë së Bardhë. Pesë Armata nga thellësia i ishin afruar kufirit që nga muaji Shkurt 1941 dhe tre të tjera ishin në lëvizje për këtë qëllim. Këto tetë Armata i përkisnin Skalionit të Dytë Strategjik të ushtrisë sovjetike, i cili përmbante 77 Divizione tankesh, të motorizuar dhe pushkatarësh, pa llogaritur dhjetra Regjimente e qindra Batalione të veçantë.
Mijra vagona nevojiten për të mbartur trupat dhe materialet ushtarake të një Armate të vetme. Kjo ishte arsyeja pse formimi i Skalionit të Dytë Strategjik kërkoi pesë muaj. Pasi shkatërruan Skalionin e Parë Strategjik të ushtrisë sovjetike, njësitë sulmuese gjermane papritmas ndeshën Armata të reja sovjetike për të cilat komanda e lartë gjermane nuk dinte gjë. Lufta rrufe ishte llogaritur me shkatërruar trupat sovjetike pranë kufirit, kurse ushtria gjermane u ndesh me një mur tjetër Armatash që kishin ardhur apo ishin duke ardhur nga Kaukazi Verior, Volga, Uralet, Siberia, Trans-Baikali dhe Lindja e Largme. Stacionet e trenave pranë kufirit u kthyen në magazina gjigande municionesh që mbaheshin në vargje vagonash që siu shihej fundi dhe në gjendje gatishmërie për të vazhduar rrugën drejt Perëndimit në mbështetje të sulmit të ushtrisë sovjetike. Njëkohësisht, 8500 çisterna hekurudhore plot me naftë e benzinë u grupuan në stacionet e trenit pranë kufirit. Ushtria sovjetike ishte organizuar në pesë fronte sulmi në Perëndim të Bashkimit Sovjetik. Fronti Jugperëndimor kishte 1500 vagona treni plot me municion vetëm në stacionin e qytezës Kalinovka. Pas sulmit gjerman, vetëm fronti perëndimor humbi 4216 vagona treni plot me municion. Përqëndrimi i trupave dhe materialeve ushtarake të ushtrisë sovjetike në të pesë frontet e sulmit ishte planifikuar të përfundonte më 10-07-1941.
Trupat sovjetike të Skalionit të Parë Strategjik nuk kishin kazerma për të fjetur; ato ishin në buzë të kufirit dhe flinin e hanin me çadra nëpër pyje. Po ashtu edhe trupat e Skalionit të Dytë Strategjik flinin nëpër pyje dhe nuk bënin ndërtime për stërvitje ose për të kaluar dimrin aty. Shumë nga lëvizjet e trupave dhe armatimit kryhej natën, kurse ditën trupat flinin nëpër pyje. Në rajonet pranë kufirit perëndimor nuk kishte fusha stërvitjeje për Ushtrinë e Kuqe dhe ato miliona ushtarë të përqëndruar nuk mund të qëndronin për kohë të gjatë ashtu. Për më tepër, shumë Armata e Korparmata ishin krijuar kohët e fundit për tu hipur menjëherë nëpër trena dhe si të tilla ato nuk kishin një kazermë ku të ktheheshin. Edhe nëse do ktheheshin, operacioni do kërkonte muaj të tërë, do bllokonte përsëri rrjetin hekurudhor dhe do sillte rrënim ekonomik për tërë vendin. Gjithashtu, tërë ato trupa nuk mund të rrinin për një kohë të gjatë të përqëndruara në pyjet pranë kufirit, sepse fshehtësia e tyre dhe e tërë operacionit do të zbulohej. Në trupat sovjetike të Skalionit të Dytë Strategjik kishte shumë ushtarë të veshur me rroba të zeza, të cilët ishin në fakt ish të burgosurit e kampeve sovjetike të përqëndrimit (GULAG) në Siberi. Armatat e Skalionit II Strategjik filluan të krijoheshin në Qershor

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›