Bankat, 55 % e kredimarrësve kanë lënë peng shtëpinë dhe makinën
BSH:78 % e kredisë së individëve është e kolateralizuar, por problem mbetet ekzekutimi
Pjesa më e madhe e kredive bankare janë të mbuluara me kolateral, çka do të thotë se edhe nëse kredimarrësi kalon në listën e huadhënësve të këqij, banka i sekuestron pasurinë. Për më tepër bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme, si shtëpia, makina apo tituj të tjerë pronësie. Të dhënat e fundit që vijnë nga Banka e Shqipërisë vërtetojnë se 78 % e kredisë rezulton e mbuluar me kolateral, dhe vetëm 22 % është e ekspozuar ndaj rreziqeve të moskthimit.
Kredia me kolateral
Vitin e kaluar sistemi bankar shqiptar ka përmirësuar masën e mbulimit të kredisë me kolateral. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në dhjetor 2012, 78% e kredisë rezultonte e mbuluar me kolateral, ndërkohë një vit më parë mbulimi kishte qenë 76%. Analiza e portofolit të kredive, bazuar në llojin e kolateralit, evidenton faktin se pjesa më e madhe e kredive të sistemit, rreth 55%, është e kolateralizuar me pasuri të paluajtshme, kryesisht banesa. Ndërsa, 20% e portofolit të kredisë është e mbuluar me forma të tjera të kolateralit, si për shembull makineri e pajisje apo tituj. Një pakicë prej 3% e kredisë është e mbuluar me kolateral në cash, kurse 22% e kredisë është dhënë pa mbulim me kolateral.
Individët dhe bizneset
Sipas segmenteve të tregut, mbulimi me kolateral është ndjeshëm më i lartë te individët. 83% e kredisë së individëve është e kolateralizuar, ku 70% bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme. Për sa i takon bizneseve, mbulimi i kredisë bankare me kolateral është në masën 76%. Këto të dhëna tregojnë se sistemi bankar është i mbrojtur në masë të kënaqshme nga rreziku i kredisë nëpërmjet kolateralit. Megjithatë, fakti që pjesa dërrmuese e kolateralit është në formën e pasurive të paluajtshme tregon rëndësinë e të pasurit të një sistemi efikas të ekzekutimit të detyrueshëm.
Ekzekutimi i kolateralit
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat e bankave nga ekzekutimi i kolateraleve janë rreth 20% e shumës së kredive që ndodhen në proces ekzekutimi. Banka e Shqipërisë konstaton se procesi i ekzekutimit ka përmirësime të lehta, që pritet të shtohen pas miratimit të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile në shtator të këtij viti.