E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Ismail Kadare duhet të jetë fitues i Nobelit për Letërsinë 2013

ismail kadareNga Nina Sabolik*

Unë duhet ta urrej Ismail Kadarenë. Duhet ta urrej sepse jam maqedonase, kurse ai është shqiptar, ndërsa dy popujt tanë kanë qenë armiq për shekuj me radhë dhe kanë luftuar mes tyre jo më larg se një dekadë më parë. Duhet ta urrej sepse në një takim të kohëve të fundit të qendrave ndërkombëtare PEN, në Bled të Sllovenisë, ai ishte i vetmi që refuzoi të nënshkruante një peticion që kërkonte njohjen e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, peticion që u nënshkrua nga të gjithë shtatëdhjetë shkrimtarët anëtarë të PEN-it, ndër të cilët edhe pesë shkrimtarë të tjerë shqiptarë. Duhet ta urrej Ismail Kadarenë sepse është e dukshme që ai ka bashkëpunuar me regjimin e Enver Hoxhës, dhe nuk protestoi aq sa duhej kundër mizorive të komunizmit, mizori shumë të ngjashme me ato të Jugosllavisë komuniste, të cilat kanë lënë pasoja të pashlyeshme edhe në familjen time për më shume se tre breza. E megjithatë, pasi kam lexuar romanet dhe shkrimet e tij, jo vetëm që unë nuk e urrejë atë, por dua që ta shpall si kandidat për Çmimin Nobel për Letërsinë 2013. Më lejoni të shpjegohem se pse.

Kadare ka lindur në vitin 1936 në Gjirokastër, një qytezë e vogël si në përralla, diku mes maleve të jugut të Shqipërisë, e cila ka shërbyer si mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e disa prej romaneve të tij, përfshirë romanin Kështjella (1970) (Angl. The Siege, 2008). Kjo qytezë ka edhe famën unike dhe ironike e të qenit vendlindja e Enver Hoxhës, diktatori që sundoi për një kohë të gjatë në Shqipëri. Kadare ishte gjithashtu pjesëtar i kuvendit popullor komunist për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, para se më në fund të kërkonte azil politik në Francë në vitin 1990-pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe në prag të shkërmoqjes së komunizmit në 1991. Ai ishte kryetari i një organizate kulturore që mbikëqyrej vazhdimisht prej Nexhmije Hoxhës, të shoqes dhe krahut të djathtë të diktatorit. Ai madje botoi romanin Dimri i madh (1977) një glorifikim i vendimit udhëheqës të Hoxhës për shkëputjen e Shqipërisë nga Rusia staliniste në vitin 1961.

Nga ana tjetër, disa prej librave të tij u ndaluan gjatë tridhjetë viteve që ai jetoi si shkrimtar në Shqipërinë komuniste. Ndër to renditet edhe romani që mendohet si më i miri i tij, Nëpunësi i pallatit të ëndrrave (1981; Angl. The Palace of Dreams, 1990), i cili heq një paralele të dukshme mes regjimit të Hoxhës dhe një vendi të trilluar ku ëndrrat shqyrtohen për të gjetur tek to shenja të disidencës politike. Prapëseprapë, në sajë të fuqisë së mendimit të tij të lirë, Kadare jo vetëm mbijetoi, por shkëlqeu si shkrimtar në një vend ku shkrimtarët zakonisht merrnin rrugën e ekzilit, burgoseshin ose ekzekutoheshin për sulme shumë më të vogla ideologjike.

Me qenë shkrimtar në Shqipërinë komuniste duhet të ketë qenë pak a shumë si me qenë kronikani i romanit Kështjella, roman i cili sikurse disidenca e Kadaresë, përbën një alegori të alegorisë. Në thelbin e vet, nuk është thjesht një kritikë e komunizmit, por edhe një refleksion mbi relativitetin kulturor të përfaqësim historik. Njëlloj si në fabulën e romanit Kështjella dhe po kështu-njëlloj sikur ka ndodhur në familjen time, në të cilën komunistë të vijës së ashpër, pjesë e klasës punëtore, socialistë liberal pjesë e borgjezisë, dhe antikomunistë konservatorë përziheshin dhe lidhin martesa mes tyre-jeta politike e Kadaresë nuk shpërfaq një kufi të qartë mes komunistëve të këqij dhe disidentëve të mirë. Në vend të kësaj, në prozën e tij letrare, Kadare përdor thjerrëzat e historisë për të shenjuar natyrën e ndërlikuar të kundërshtimit politik në përgjithësi. Kronikani i Kështjellës, një oportunist politik, për shembull, rrëfen historinë e përplasjes mes ushtrisë otomane dhe armikut shqiptar, histori e cila shndërrohet nga ana tjetër prej kritikëve bashkëkohorë në një rrëfim për përplasjen midis komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre. Kështjella, sikurse disidenca e Kadaresë, është një alegori e alegorisë. Në thelb, nuk është vetëm e vetëm një kritikë ndaj komunizmit, porse një refleksion mbi relativitetin e përfaqësimit historik në një ushtri të madhe të Lindjes në kohën e Perandorisë Otomane.

Portretizimi që i bën Kadare Tursun Pashës, komandantit të ushtrisë otomane tek Kështjella, portret simbolik i Enver Hoxhës dhe diktatorëve ushtarakë kudo në botë, është shumë domethënës në këtë aspekt. Nata ishte shtatzënë dhe ai ishte në barkun e saj, krejt i vetëm është, për shembull, mënyra se si kronikani përshkruan gjendjen shpirtërore të Pashait në prag të rrethimit. Një personazh shumështresor në muzg të jetës së vet, i shqetësuar për tatëpjetën që ka marrë karriera e tij ushtarake, Tursun Pasha ndihet i shtypur peshës se detyrës vetjake dhe qytetërimit që përfaqëson, detyrë të cilën ai synon ta përmbush. Në barkun e mëdyshjeve të tij, ai përballet me vlerën e jetës së tij të kaluar si shërbëtor dhe shestues i një perandorie rishtare dhe mizore. Në fund të vrojtimit të tij sogjetar, qielli i përflakur që shfaqet kah Lindja është ogur i një rrethimi të përgjaktë, dhe vdekja e tij është i vetmi çlirim prej kufijve të perandorisë . Kësisoj, barku i errët i natës luan funksione të shumëfishta simbolike-ai është rravgimi i brendshëm i një njeriu që kërkon të shpëtojë prej peshës shtypëse të historisë, zgjedhës së një perandorie gjigande e cila shtrihet në drejtim të perëndimit, dhe, kjo nënkupton në mënyrë të pagabueshme, perandorinë komuniste të Stalinit. Vetvrasja e Tursun Pashës në fund të rrethimit thekson kuptimin e njëmendtë të kësaj metafore, vdekjen e tij e cila kthehet në një lloj vendi të askundgjetshëm, i cili është jashtë pushtetit të ligjit, jashtë botës dhe Perandorisë.

Një element tjetër i kritikës së Kadaresë ndaj regjimit të Hoxhës është sulmi i tij ndaj idesë së çkombëtarizimit, e cila tek Kështjella e ka zanafillën tek Padishahu, ose me një fjalë tjetër  Sulltani, ide e cila ishte kaq e parapëlqyer në perandorinë më të vonë komuniste. Padishahu i Madhërishëm na rrëfen kryemjeshtri ka caktuar të tjerë për tu marrë me çështje të kësaj natyre. Ata të gjithë janë ustallarë të çkombëtarizimit… ustallarë në kalbjen dhe gërryerjen e kombeve. Këta zanatçinj kryejnë rrënimin e kombeve përsëbrendshmi, rrënim që ka si pikënisje dhënien e ofiqeve të larta, eh, bash kështu, kjo është e keqja që mund ti ul  [kaurët] në gjunjë. Me fjalë të tjera, është ideologjia shumë më shumë se lufta ajo që mund të thyej një komb: Nuk mund ta quash një komb të pushtuar derisa të kesh pushtuar shpirtin e tij. Njësoj si ko

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›