Ish-presidenti, "Midis Nanos dhe Berishës"
Ka dalë në qarkullim, vëllimi i tretë i kolanës së "Kujtimeve" të ish-presidentit Alfred Moisiu nën titullin "Midis Nanos dhe Berishës". Shtëpia botuese "Toena", pas publikimit të dy vëllimeve të para, përcjell për lexuesin kujtimet dhe ngjarjet, ndërhyrjet dhe veprimet, sukseset dhe dështimet, dëshirat dhe mundësitë etj., që e kanë shoqëruar z. Moisiu për periudhën 5-vjeçare (2002 -2009), në të cilën ai ka kryer detyrën e kryetarit të shtetit. Sipas ish-presidentit Rexhep Mejdani, Moisiu ka ndier në vazhdimësi "kërrabat" dhe pengesat e pakuptimta të politikës së ditës, por edhe paturpësitë e primitivizmin, arrogancën dhe egërsinë e saj, si dhe jo pak fyerje publike e marifete "lojtarësh" hileqarë apo ndihmës të tyre krejt "të budallepsur" në servilizmin e tyre të paskrupullt ndaj liderit. Për më tepër që pengesa të tilla nuk lidheshin aspak me interesa të përgjithshme apo perspektive, por thjesht në funksion të vetes, të afërmve e klanit familjar-partiak; jo në shërbim të shtetit, të progresit shoqëror e ekonomik, zhvillimit demokratik e emancipimit politik-kulturor, por thjesht e vetëm të interesit të "bosit" politik, të pushtetit individual të kryetarit, apo interesave të dyshimta kryeministrore e ministrore.