E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse SPAK “amniston” oligarkun Rrok Gjoka?!

Teksa të gjithë po flasin për drejtësinë e reformuar dhe arritjet e saj, shumëkush mund të pyes me të drejtë: “pse SPAK nuk ka nisur hetimet ndaj oligarkëve të korruptuar që kanë vjedhur miliarda lekë nga buxheti i shtetit?!”.

Një prej tyre është edhe Rrok Gjoka, pronar i “Gjoka Konstruksion”, maja e korrupsionit në tunelin e Llogarasë e në shumë veprave të tjera të rëndësishme publike.

Por le të ndalemi tek Tuneli i Llogarasë dhe zhytja me kokë e Gjokës në thesin e parave publike.

Në tenderin për ndërtimin e tunelit, “Gjoka Konstruksion” kishte ofruar ofertën më të ulët , rreth 140 milionë Euro. Tenderi u anulua nga Vis Berberi pasi do të ishte shumë e dukshme që një vepër e përmasave të tilla publike të fitohej sërish nga oligarku i babëzitur.

Çfarë skeme u përdor?

Një tender i ri u hap disa muaj më vonë dhe fitues u shpall konsorciumi turk Intekar Yapi & ASL, me ofertë rreth 170 milionë euro.

Punimet kryheshin nga “Gjoka Konstruksion”, ndërkohë që kompania turke u shpall “fituese” e mori kontratën dhe diferencën e ofertës. Turku ia dorëzoi punët dhe pagesën realisht Gjokës.
Diferenca prej 30-32 milionë euro nga oferta fillestare e Gjokës është përfituar + për oligarkun.

Më tej në 2025, “Gjoka Konstruksion” fiton edhe tenderin për mirëmbajtje/operim të tunelit, pavarësisht se u kamuflua me emrin e turqve. Tuneli u hap dhe u rimbyll pas dyshimeve për cilësi të dobët të punimeve dhe mungesë akt-kolaudimi teknik.

Por vjedhjet e Gjokës nga veprat publike janë një kalvar shumë i gjatë… duke përmendur këtu edhe “Rrugën e Arbrit”, tunelet e të cilit janë shembur disa herë e janë ringritur me paratë e shqiptarëve, pasi pangopësia e Gjokës nuk kishte të ndalur.

Kompania Gjoka ka abuzuar me shtresat dhe ngjeshjen e bazamentit të rrugës, për të fituar sa më shumë para, aferë e cila ka sjellë degradimin e rrugës ende pa përfunduar.

Sipas inxhinerëve nuk ka terren më të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm në Shqipëri se sa terreni ku kalon Rruga e Arbërit, por babëzia e Rrok Gjokës për të vjedhur dhe kapur punë sa më shumë, ka sjellë shkatërrimin e rrugës.
SPAK i troket në derë

Në dhjetor 2025, SPAK dhe agjentët e BKH-së mësynë në zyrat e kompanisë së Gjokës.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente dhe pajisje kompjuterike, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit nga organet e drejtësisë.

Rrok Gjoka, klient i Rilindjes

Rrok Gjoka është klient qeveritar e familjar i “Rilindjes”. Krushku i Gaz Demit, partner i vëllait të kryeministrit, ka qarkulluar miliarda brenda familjes, aq sa ka mundur të heqë qafe nga postet publike edhe funksionarë shteti kur i kanë nxjerrë të palarat dhe e kanë çuar në organet e drejtësisë.

Rrok Gjoka është çelësi i zbërthimit të çështjes “Llogara” dhe jo vetëm, ndërsa SPAK trumbeton luftën ndaj korrupsionit.

Por ku janë hetimet për oligarkët që kanë ndërtuar pasuri marramendëse mbi taksat e shqiptarëve? Pse drejtësia e re prek vetëm letrat dhe jo duart që mbajnë thesin? Pse ndalemi tek titullarët, ndërsa miliardat përfundojnë në xhepat e privatëve të njëjtë?

SPAK ka treguar se mund të arrestojë ministra, drejtorë dhe zyrtarë. Por pa hetuar oligarkët – burimin e fitimit të korrupsionit, sistemi mbetet i cunguar. Nuk mjafton shembja e një hallke politike nëse zinxhiri i interesit ekonomik mbetet i paprekur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›