Pse behet shpirti shkurre? Nga Frrok Cupi
Te gjithe jemi para rrezikut.
Ne qofte se nuk e shikoni rrezikun dhe ne qofte se nuk ju tremb, atehere kam te drejte te trembem une pse nje cast do te ndodhem prane njeriut shpirt- shkurre. Njeriut i thahet dhe i ngushtohet shpirti krejt pa kuptuar, ngadale-ngadale dhe me nje butesi te padukshme. Njeriut i thahet shpirti duke menduar keq; i thahet duke shikuar keq; i thahet duke sherbyer keq. Ne qofte se ne mbremje, pasi ka sherbyer, njeriu nuk i kthehet vetes sic i kthehet fytyres cdo mengjes para pasqyres, per te hequr nga shpirti sherbimin e keq te bere gjate dites, atehere nje dite shpirti do t’i jete bere shkurre ku mund te fshihen lepuj, insekte, edhe vete njeriu.
Kam pare dje ne nje ekran, News 24, nje burre nga Fieri te cilit i vene emrin dhe titrat se eshte korrespondent. Ai eshte keshtu, sigurisht, sepse per te qene gazetar mjafton te thuash se “jam gazetar”. Por m’u duk shume i trashe, d.m.th., shume i beshem, i beshem me shume se duhet per te qene gazetar. Mire, i shkreti, nje pune ka gjetur dhe ben sherbimin, se mos do te presim prej ketyre teorine e gazetarise. Por m’u duk se duke sherbyer dite perdite dhe duke mos u fshire nga “shkurrja” cdo mbremje, shpirti i tij kishte marre formen tipike te gemushes. Sapo hapi lajmin per nje plazh ne bregdetin e Fierit, nisi me fjale trishtuese: tmerr, plehra, makina, nafte, kanace, shkurre, copa opingash... Keto ishin ne plazh, vetem keto- sipas tij. Kishte gjetur edhe nje burre per sinkronin lajmit, i cili e nxirrte fytyren sa here nderrohej pamja; p.sh., thoshte “opinga” dhe burri miratonte “po kemi copa opingash; thoshte “makina” dhe po ky burre thoshte “po kemi makina” ne plazh. E pashe qe gazetari e kishte bere shpirtin shkurre, prandaj nuk mund te kerkonte nje njeri tjeter me shpirt te lire... Ka disa gazetare qe sherbejne te keqen, qe nisen qe ne mengjes per te qemtuar te keqen, qe transmetojne te zezen. Ka shume politikane qe bejne te njejten gje. Ka shume bashkebisedues kafenesh qe ulin korba ne tavolinat e perbashketa, sikur zia dhe e keqja po bie nga qielli...
Ku eshte rreziku, te gazetari, apo te secili? Pak me shume le te pyesim: Ku eshte rreziku i shpirtit “shkurre”, te shkrimtari, te gjyqtari, te mendimtari, apo te njeriu i kudoshem?... Asnjehere historia njerezore nuk eshte turbulluar pse disa barinj, disa punetore, nje plazhist apo nje njeri tjeter i zakonshem ne pallatin perballe, shfaqet me shpirtin te prishur e te ngaterruar. Keta jane te zakonshem, madje edhe vete lezeti apo masa per te gjykuar si je vete dhe si arsyeton per jeten. Por kur ky eshte gazetar a minister, a gjyqtar a shkrimtar, atehere behet per ta menduar mire. Sepse kjo kategori iu imponohet te tjereve, shume njerezve te tjere; ose ua ben shpirtin shkurre, ose i turbullon te pakten.
Periudha e regjimit komunist ishte periudha me “e qarte” per idene se shkrimtaret dhe gazetaret jane “ndihmes te Partise”. Edhe atehere kishte gazetare si korrespondenti i Fierit sot, qe duke sherbyer perdite, dhe pa e lare shpirtin asnje dite, thaheshin e beheshin shkurre. Cila ishte pamja tjeter e ruajtjes se shpirtit? Gazetaret qe pastronin shpirtin dhe mirembanin veten si njerez me dobi, nje jave ose dhjete dite pasi kishin shkruar se “nuk po realizohen detyrat e partise”, se “armiku i klases duhet mbajtur sus”, se “partia e ka syrin hapur kudo”, etj., etj., fjale pa jete, nje dite gjenin shpetimin. Nje dite, keta gazetare trokisnin ne deren e shefit te redaksise dhe kerkonin nje “sherbim ne zona te thella”. Me zor, pa zor, shefi jepte leje per “zonat e thella”. Gazetaret qe kerkonin kete “favor” e kerkonin realisht si favor. Sepse iu duhej te shkruanin reportazhe; d.m.th., shkrime me leng jete. Reportazhi eshte zhanri gazetaresk qe nuk mund te shkruhet pa pershkrimin e shpirtrave te thelle. Ne zonat e thella gazetari takonte njerez te zakonshem, njerez me humor, njerez me shpirt te gjere, pa mace ne bark, pa qiber per ate qe eshte e ate qe je, pa parulla ne fjale, pa ankesa si zagar, pa meri per tjetrin, pa fjale partie. Flinin ne stan, pinin qumesht ne te njejten kusi, zienin rakine ne oborr, hipnin bashke ne tra per pastermane... Ja ky eshte “brumi” i reportazhit. Gazetaret (vetem gazetare te numeruar me gishtat e dores) e shkruanin reportazhin. Por arratisjen nga redaksia per ne zonat e thella e benin per te pastruar shpirtin prej “shkurres” se krijuar nje jave te tere duke sherbyer lajmin dhe artikullin e porositur. Te tjeret mbeten ashtu, me shpirt te ngushtuar....
Po pse gazetaret apo sherbetore te tjere sot e vene shpirtin ne “shkurre”? Nuk ka asnje arsye te qenesishme, shoqeria eshte e lire dhe shpirtrat jane te hapur... Disa njerez e gjejne pergjigjen pikerisht ne ngjashmerine me shpirtin e atij qe sherbejne. Sigurisht, politikane e pronare mediash, mendjembyllur e shpirtngushte, nuk mund te pranojne aty afer njeriun me shpirt te hapur. Kjo eshte nje e vertete.
Arsye tjeter, sipas Shopenghauer, eshte arsyeja qe lidhet me arratisjen “per nje reportazh”. Njerez qe mbyllen ne “shkurre” dhe nuk gjejne rrugedalje, grumbullojne dhembje, aq shume dhembje sa iu kthehet ne eautontimoroumenoi, qe eshte semundja e shkaterrimit te vetvetes. Mbreti David e kishte zgjidhur ne nje menyre drastike. Para vdekjes se djalit, gjate semundjes, i kishte drejtuar Zotit nje mori lutjesh dhe kerkesash. Por kur djali i vdiq, kerciti nje here gishtat dhe e mbylli ketu... Ndersa njerezit qe shikojne vetem te keqen, qe thone vetem te keqen, qe mendojne vetem te keqen... keta bien ne fatalizem dhe nje dite nuk clirojne dot me veten.
Arsyeja e trete gjendet “kur rri kot”. Te gjithe ata qe mendojne vetem keq, kane shume kohe per te fantazuar te keqen. Fantazia nderton keshtjella prej rere me te keqen. Kush rri kot dhe nuk ben dobi, i krijon keto. Kush ben dicka, mund te gjeje te miren, pastaj te miren, pastaj te keqen... Quhet sikur rri kot jo vetem politikani i keq qe nuk di te beje asgje, por edhe gazetari ose gjyqtari qe nuk e pasuron mendjen e tij me asgje, pervecse me fantazma. Kush e le veten ne dore te fantazive te zymta (blue devils), sipas Shopenhauer, atehere rrethohemi nga imazhe te te keqes qe nuk largohen me sic largohen lehtesisht imazhet e te mires.
Eshte nje rrezik shume i madh qe i kanoset njeriut ky shpirti shkurre.