E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse hesht Azgan Haklaj dhe qëndrestarët e tjerë?!

Nga Dukagjin HATA

seliaHumbja e PD-së ishte e pritshme, por humbja e saj e thellë, përtej çdo parashikimi, nxori në pah shumë probleme, të cilat i ka neglizhuar lidershipi blu dhe që me kohë janë kthyer në modele frenimi për pritshmërinë e resurseve platformore të kësaj force politike.
Si ish gazetar i vjetër dhe redaktor i gazetës së parë opozitare në Shqipëri, i gazetës Rilindja demokratike, në kohën kur ajo shtypej në 100 mijë kopje dhe qytetarët hynin në radhë për ta blerë, kontribute që u pjesëtuan me zero nga strukturat drejtuese të selisë blu, si shumë kontribute të tjera të qëndrestarëve, që mbetën tetë vjet rrugëve pa punë dhe pa motivime politike e intelektuale, dua të japë disa mendime lidhur me këtë gjendje dhe tentativën e lidershipit të kësaj partie për të dalë nga kthetrat e vetizolimit të trishtë.
Lideri historik i PD-së, Sali Berisha, jo vetëm që pranoi humbjen, por u vetëidentifikua me këtë humbje, duke deklaruar se gjithë fatura e kësaj humbje të thellë i përkiste atij vetë. Berisha u tërhoq nga kreu i PD-së duke hapur rrugën e konkrimit demokratik, sipas parimit një anëtar një votë për postin e kryetarit të partisë, por jo ekipi i tij. Bashkë me të, duhet të tërhiqej gjithë ekipi që ishte në krah të tij, ministrat dhe funksionarët e lartë, të cilët ishin pjesë e kësaj humbje.
Por kjo nuk ka ndodhur. Në këto rrethana, gara mbetet e mangut dhe shansi i një konkurrimi dinjitoz, që presupozon ngritjen e kësaj partie mbi frymën klanore, nepotike dhe të një vetizolimi infatil, që ka ndodhur gjatë këtyre njëzet e dy viteve, është ende një projeksion i dobët, jo një realitet veprues.
Natyrisht që është e drejta e çdo anëtari, qoftë në strukturat e larta të PD-së, qoftë dhe në bazë, të konkurrojë për kreun e saj, por ky konkurrim duhet të zhvillohet duke bërë një analizë të detajuar të përgjegjësive të humbjes dhe duke e zgjeruar me sinqeritet dhe transparencë të plotë rrethin e kandidatëve rivalë për postin e liderit të selisë blu.
Duke parë listën e atyre që mund të konkurrojnë në këtë garë, pa paragjykuar askënd, mu kujtua një emër që mungon dhe që do të ishte në nderin e selisë blu të ishte pjesë e garimit për kreun e partisë. Thashë me vete: Përse mungon në këtë listë Azgan Haklaj?! Përse hesht Azgan Haklaj?! Përse heshtin qëndrestarët që ka jo tetë vjet, por njëzet e dy vjet që kanë dhënë gjithçka për PD-në, (në emër të një idealizmi që nuk duhet përbaltur nga askush, aq më pak nga fitimtarët e sotëm) dhe nuk kanë marrë asgjë si shpërblim?!
Kjo pyetje të çon në gjurmët e një kontributi mbi dydekadësh, që zoti Haklaj ka dhënë për PD-në, kontribut që ka kulmuar me fitoren e tij si deputet i trevës së Tropojës, në vitin 2001, që nga qelitë e burgut politik, ku e patën futur për ta ndarë nga mundësia e komunikimit me elektoratin e tij.
Përse hesht zoti Haklaj?! Mos vallë ai dhe të tjerë kandidatë të mundshëm, që vijnë nga llogoret e qëndresës dhe jo të përfitimit, nuk kanë besim se ky do të jetë një garim i ndershëm dhe transparent?! Nuk do të doja të ishte kjo arsyeja, por aq më pak do të doja që këta njerëz, më në fund, të ndiheshin të lodhur e të zhgënjyer, pasi ata kanë qenë dhe janë fronti i madh opozitar dhe një shoqëri demokratike pa opozitë reale do të ishte një shoqëri në krizë të plotë.
Hyrja e Azgan Haklajt në politikë ishte pjesë e këtij mirazhi, pjesë e asaj ëndrre, pjesë e asaj kulture shpirtërore, gjenetike dhe trashëgimore, që e lidhte atë me vizionet e lirisë dhe demokracisë së kombit. Pjesë e atyre gjurmëve të mbetura në kohë dhe hapësirë të të parëve të tij krenarë, që kishin vënë gurë kilometrikë në histori. Pjesë e një historie të gjymtuar, të deformuar, të tjetërsuar, por që nën hirin e gjithë këtij keqkuptimi, ruante gacat e të vërtetave që nuk mund të manipuloheshin dhe nuk mund të keqpërdoreshin nga dashkëqinjtë dhe hipokritët.
Ai do të hynte në politikë në momentet kur PD-ja qe shkërmoqur nga zulma e vitit të mbrapshtë 97, do të hynte për të dhënë, jo për të marrë, siç kanë bërë e bëjnë shumica e politikanëve tanë. Do të hynte për të sakrifikuar dhe është i vetmi politikan në botë, që e ka fituar mandatin e deputetit nga qelitë e burgut të imponuar nga dinastia e krimit dhe mafies. Ky akt e ka bërë atë një hero të kohës sonë, një model të rezistencës ndaj të keqes, në emër të atij sistemi vlerash tek të cilat ai beson dhe të cilat kanë qenë dhe mbeten modele të jetës dhe veprës së tij.
Kur ishte në Tropojë, pak ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit, në promovimin e Sofrës Dardane, ai dhe Unioni i tij e ngritën peshë Bajram Currin dhe rrethinat me duartrokitje për Dr. Berishën dhe fitoren e PD-së. Falë dhe kontributit të tij, Tropoja ishte i vetmi bastion i pathyer i Oborrit Blu në këto zgjedhje. Njëzet e dy vjet qëndrestar, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, tetë vjet pa punë, pa i ofruar asnjë mundësi, jo sikur të ishte një intelektual krijues, idealist dhe progresist, por vetë djali plangprishës!…
Azgan Haklaj një misionar dhe si i tillë qëndron përmbi podiumet politike të radhës, përmbi foltoret ku premtimet boshe ngjajnë me koshat pas të vjelave, siç thotë i urti ynë shembullor. Azganin nuk e nxënë njëzet e tetë mijë kilometrat e Shqipërisë amë, të rrudhur, të ngrënë kufijsh e të gjymtuar nga kohë të errëta dhe mllefe primitive. Ai e konsideron veten njësoj të angazhuar si për Tropojën, vendlindjen e tij, Tiranën, vendbanimin e tij, Shkodrën, Fierin, Vlorën, Sarandën, Pejën, Gjakovën, Prizenin, Prishtinën, Kumanovën, Tuzin, Artën, Prevezën, duke lidhur me aktin e tij të pandërprerë kulturologjik, me lëvizjen fizike dhe shpirtërore, me këngët, vallet, librat e tij dhe të miqve të ti të gjitha fijet e dukshme dhe të padukshme të kombit. Nuk ka personalitet politik e kulturologjik për të cilin të kenë shkruar aq shumë pena mjeshtërore, siç kanë shkruar për Azganin. Për të janë shprehur shkrimtarë e poetë të shquar, politikanë të zotë e kryetarë partish, ish kryeministra me të cilët ka replikuar dhe më vonë janë detyruar të pranojnë epërsinë e akteve të tij përtej të zakonshmes, në mbrojtje të vlerave qytetare dhe politike të demokracisë së brishtë shqiptare, kryeministra në detyrë, diplomatë të rangut të lartë të kancelarive më të fuqishme të vendeve të zhvilluara europiane.
Haklaj ka qenë në fokus të vëmendjes së përfaqësuesve politikë të dy perandorive të kohës sonë, SHBA-së dhe Rusisë, për shkak të agjendave të tij domethënëse në shërbim të kauzës shqiptare.
Intelektualët e vërtetë, ata që vështrojnë përtej hundës së tyre, duhet ta thonë fjalën e tyre në kohën e duhur në vendin e duhur.
Azgan Haklaj e ka thënë gjithmonë këtë fjalë, por çuditërisht, këtë radhë ka heshtur. Përse?! Asnjëherë më shumë se tani, në këtë orë të humbjes së madhe të PD-së, nuk lypset fjala e tij, kontributi i tij, garimi i tij dhe i të gjithë bashkëqendrestarëve, që nuk kanë qenë pjesë e fitoreve si e Pirros, por pjesë e betejës për të ndryshuar realisht kjo forcë politike, sigurisht, që duhet të jenë.
Lufta për të fituar PD-në nuk është luftë për të mbijetuar klanet dhe rrethinat e tyre, por për të ruajtur një imazh historik, një pasuri kombëtare të pluralizmit, një vlerë të demokracisë funksionale dhe të lirisë, në emër të së cilës luftuan tash njëzet e dy vjet e do të luftojnë gjithmonë qëndrestarët dhe idealistët si Azgan Haklaj, të cilëve, gjithë sivëllezërit e tyre, që nuk kanë përfituar asgjë, përcveç kokëçarjeve dhe andrallave të shumta, ju bëjnë thirrje të mos heshtin, por të jenë pjesë e garës për demokratizmin real të Partisë Demokratike!…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›